Politike
Pasaporta evropiane e Edi Ramës një përrallë me mbret, LaCivita është strategu i fushatës

Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela gjatë një interviste ka analizuar hapjen e fushatës së PD-së dhe Ramës. Lela u shpreh se, premtimi i Edi Ramës për pasaportën evropiane brenda 4 vitesh është një ‘përrallë me mbret’.
Ndërkaq, Lela ka sqaruar edhe pozicionin e Chris LaCivita, që sipas tij është strategu i fushatës së PD, dhe kjo gjë duket që në mesazhet e dhëna, e deri tek detajet e ceremonisë së hapjes së fushatës.
‘Dy emra ka në gojë Edi Rama vazhdimisht, Noc Rroku dhe Chris LaCivita.
I pari i pëlqen, i dyti me sa duket jo, përsa kohë e sjell dhe e risjell vazhdimisht në vëmendje, dhe sigurisht duke bërë atë që di të bëjë më mirë fatkeqësisht, sepse është thirrur për të qeverisur dhe për të bërë batuta.
Është i njëjti Ramë që edhe kontestoi me terma të pahijshëm për një kryeministër, shefin e Chris LaCivita, Donald Trump në zgjedhjet e kahershme, të para, duke e quajtur ‘turp të qytetërimit’, por u ndërru dhe ju e mbani mend nëpër samite se, si i vidhej pas për të kapur një foto, apo një buzëqeshje, apo një shtrëngim dore të njëjtit ‘turp qytetërimi’.
Kështu është një Ramë që nuk ka turp dhe mos u çudisni nëse e ha ‘turpin me buk’ një ditë edhe në raport me LaCivita.
Roli i tij është roli i strategut dhe unë mendoj që, strategjia që ai ka skicuar për PD duket, duket tek mesazhi, tek imazhi, u duk dhe të premten mendoj unë, jo vetëm tek mënyra, imazheria e hapjes, por edhe tek mesazhet.
Mesazhi i fushatës tonë, dhe mesazhi që vetë LaCivita është i thjeshtë, është kontrasti. Pra këto nuk janë zgjidhje me dëshira, me ngjyra, është zgjidhja përmes një kontrasti dhe ai është i qartë.
12 vite me 1 mln shqiptarë të ikur, 12 vite me kanabizim, narkotrafikëzim, përballë një oferte që është e thjeshtë, e qartë, është për shqiptarët.
Ka të bëjë me taksat, me minimumin jetik, ka të bëjë me pensionet, ka të bëjë me një ofertë që e sheh popullin në sy dhe me dhembshuri. Dhe ky është kontrasti dhe mendoj, se edhe shqiptarët që e dinë veten për neutral dhe socialistët e pakënaqur, duhet të shikojnë se çfarë po u ofrohet; gjëra konkrete nga Sali Berisha dhe koalicioni opozitar, dhe po ofron përralla me mbret, që nuk i ka në dorë kryeministri i një vendi të vogël, si pasaporta evropiane. Është një përrallë më mbret.
Ka një batutë të Lutfi Dervishit që e përsëris sa herë dal dhe kam mundësi të dalë nëpër intervista; ky kryeministër që nuk u dha pensionistëve dhe studentëve abone falas për 12 vite, si do u japë pasaportën evropiane për 4 vite?’, tha Alfred Lela

