Politike
Pasi shkarkoi Veliajn, Rama i beson drejtimin e fushatës Belinda Ballukut për zgjedhjet në Tiranë

Belinda Balluku është e besuara e kryeministrit Edi Rama për drejtimin politik të Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të mbahen pas shkarkimit të Erion Veliajt. Vendimi është marrë pas takimeve që zhvilloi dje kryeministri Edi Rama në kryeministri dhe në selinë e PS-së, ku ishin të pranishëm nënkryetarët aktualë të Bashkisë së Tiranës, deputetë të qarkut si dhe ministra të qeverisë. Mesditën e sotme, në mbledhjen e qeverisë pritet që të zyrtarizohet dhe shkarkimi i Veliajt, ndërsa Rama paralajmëroi një katarsis në Bashkinë më të rëndësishme të vendit. Në zgjedhjet parlamentare të Majit, Balluku ishte drejtuese politike e PS-së në qarkun e Fierit, ku arriti të merrte një rezultat historik prej 12 mandatesh.
Sa i takon zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, Rama shprehu mbështetjen e pakursyer ndaj Ogerta Manastirliut, për të cilën tha se do të jetë fituesja e zgjedhjeve, përballë një opozite që ende nuk ka dhënë emër për kandidaturën e saj për kryeqytetin.
“Tema jonë si PS është sot të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë. Me kandidaten e duhur dhe me organizimin e mbështetjen e duhur do të marrim rezultatin e duhur. Më vjen shumë mirë që, siç edhe ju të gjithë, kandidatura e Ogertës ka qenë mbështetje e plotë e familjes sonë politike. Ku të gjithë e çmojnë kandidaten tonë dhe janë me një mendje që është radha e saj për të udhëhequr Tiranën,
Aq e fortë është mbështetja për Ogertën, sa është pa interes kush do të jenë kandidatët rivalë që do hyjnë në garë të humbur dhe do dalin edhe më të humbur. Edhe nga anketimi në Tiranë është e qartë që shumica e qytetarëve e kanë hallin te problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga Bashkia e Tiranës”, tha dje Rama pas mbledhjes në selinë e PS.
Rama theksoi se është me domosdoshmëri zgjedhja e një kryetari të ri në krye të Bashkisë së Tiranës, pasi sipas tij një sërë çështjesh kërkojnë që të adresohen në mënyrë urgjente.
“Mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më të ulët historik për të kuptuar që aty ka nevojë për motivim të njerëzve. Mjafton të shohësh rënien dramatike të nivelit të investimeve. Kjo shtuar dhe domosdoshmërisë për një proces katarsisi burimor në kuptimin e vetëpastrimit të Bashkisë së Tiranës, siç bëmë në bashkitë e tjera, kërkon legjitimin e udhëheqjes së re që mos kemi më situata ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo drejtues të njësive vendore dhe të cilën ne do ta adresojmë në paketën e re që do kalojmë në qeveri që sjell edhe ndëshkimin e rëndë penal”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

