Kronike
Pasi vrau Vanesën, Bujari bëri xhiro me biçikletë dhe piu birra, më pas telefonoi policinë
Vanesa kishte qenë një obsesion për të që kur e la. Pastaj në javët e fundit, ai kishte mësuar për shtatzëninë e saj. Ndoshta sepse nuk e pa më në supermarket, ose dikush ia komunikoi mungesën e saj.
Do të ishte ky lajmi që ndezi diçka në mendjen e shqiptarit Bujar Fandaj, i cili sipas hetuesve planifikoi dhe kreu vrasjen e ish të dashurës italiane, Vanessa Ballan, me një thikë të ngjashme me ato të gjetura në shtëpinë e saj në Altivole.
Por mbi të gjitha, Fandaj sipas mediave italiane kishte planifikuar në detaje edhe alibinë për të shmangur autorësinë.
Fillimisht disa orë para atentatit, në profilet e tij në rrjetet sociale ai postoi një foto nga kryqëzimi drejt Nova Goricës, në Slloveni, ndërsa mbrëmjen e së martës kur duke përdorur një celular pa kartë SIM (për të parandaluar gjeolokalizimin) thirri policinë dhe rrëfeu: “Isha unë që e bëra, nesër do të dorëzohem në komisariatin e Riese Pio X“.
Më të çuditshme janë veprimet e tij pasi kreu krimin. Ai ka ecur me biçikletë për të shmangur kamerat e sigurisë dhe mbi të gjitha sistemet e zbulimit të targave. Bujari është endur nëpër fshat përpara se të ndalonte në lokalin “Ci Torno” në San Vito di Altivole.
Pastaj porositi një birrë dhe ka bërë një bisedë normale me banakierët, por në veçanti është ndalur tek tatuazhet, teksa komunikonte me një nga klientët.
“Ishte normal, na foli për tatuazhet. Më pas konsumoi porosinë. Ai u shoqërua me një klient për rreth njëzet minuta, duke i treguar se kohët e fundit kishte bërë një tatuazh në krahun e tij ku shfaqej një trëndafil me busull. Ai tha se ato ishin referenca për historitë e kaluara që kishin të bënin me një vajzë. Më pas doli dhe hipi në një makinë, një Kia gri”, tha një nga banakieret.
Ndoshta Fandaj shpresonte në këtë mënyrë të largonte dyshimet për të, por karabinierët kishin mbërritur tashmë në shtëpinë e tij, pasi kishin dyshuar kur gjetën në çantën e braktisur në kopshtin e shtëpisë së Vanesës një thikë e një çekiç me markë të kompanisë së Fandajt, me të cilin kishte thyer xhamin për të hyrë në shtëpinë e viktimës.