Kosova
Pasojat e dorëheqjes së stafit administrativ serb nga Prokuroria në Mitrovicë
Gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë si dhe në Divizionin e Apelit në veri të Mitrovicës, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), më 7 nëntor 2022.
Ky largim i tyre dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më 23 nëntor 2022, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për targat, sipas së cilës Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të veturave, kurse Serbia nuk do të lëshojë më targa makinash me emra të qyteteve të Kosovës.
Pasi ishin dorëhequr edhe kryetarët e komunave veriore, ishin shpallur zgjedhjet lokale, të cilat më vonë ishin shtyrë. Pastaj, ishte arrestuar ish-polici Dejan Pantiq si i dyshuar për sulm ndaj Komisionit Komunal Zgjedhor. Një pjesë e serbëve kishin vendosur barrikada nëpër rrugët e veriut të Kosovës. Mirëpo, largimi i barrikadave të vendosura më 10 dhjetor, kishte nisur më 29 dhjetor, pasi ish-polici i dyshuar për terrorizëm, Dejan Pantiq u lirua nga paraburgimi dhe iu vendos masa e arrestit shtëpiak.
Pas gjithë ngjarjeve që shoqëruan veriun e Kosovës kohët e fundit, rikthimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës ende nuk ka ndodhur.
Pas dorëheqjeve të dorëzuara nga gjyqtarët dhe stafi administrativ serb nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, nënkryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi, për “Betimi për Drejtësi” kishte njoftuar se me mbështetjen e KGJK-së kanë krijuar planin e përkohshëm të veprimit pas rrethanave të krijuara.
Kështu, rreth 700 lëndë të Departamentit për Krime të Rënda dhe rreth 700 lëndë të tjera në Departamentin e Përgjithshëm, të caktuara tek gjyqtarët nga komuniteti serb, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet, janë caktuar tek gjyqtarët shqiptarë.
Plani i përkohshëm i veprimit për vazhdimin e punës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degët e saj përbëhet nga disa pjesë, si: riorganizimi dhe funksionimi i departamenteve brenda gjykatës, identifikimi i lëndëve për bartje në gjykatat tjera, riorganizimi i stafit profesional si dhe riorganizimi i administratës.
Ndërsa, Lumnije Surdulli, administratore në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se kanë krijuar një komision për regjistrimin e lëndëve me të cilat kanë qenë të angazhuar gjyqtarët serbë.
Kështu, lëndët me të cilat kanë qenë të angazhuar gjyqtarët serbë, janë ndarë dhe caktuar tek gjyqtarët shqiptarë.
“Kemi pasur sfida, por jemi angazhuar të gjithë, kemi formuar komisionin për regjistrimin e lëndëve të gjyqtarëve të dorëhequr si dhe kemi anagazhuar stafin me punë shtesë për funksionim të gjykatës”, thuhet në përgjigjen e administratores Surdulli.
Kurse, në lidhje me numrin e seancave të anuluara që nga dita kur janë dorëhequr gjyqtarët serbë, administratorja Surdulli ka thënë se nuk kanë informata se sa lëndë kanë qenë të caktuara nga gjyqtarët serbë e as se sa seanca kanë dështuar.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve dhe të punësuarve të tjerë nga radhët e komunitetit serb, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre nga 7 nëntori 2022 e deri më tani është 144, prej tyre 25 gjyqtarë dhe 119 të punësuar të tjerë.
Ndërsa, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, si dhe në degët e saj (Leposaviq, Vushtrri, Zubin-Potok dhe Skenderaj), pas dorëzimit të dorëheqjeve nga gjyqtarët serbë, kanë mbetur gjithsej 28 gjyqtarë.
Gjykata Themelore në Mitrovicë njihet se ka numër të madh të lëndëve të trashëguara.
Sipas Raportit Statistikor të Gjykatave të Republikës së Kosovës, publikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për vitin 2022, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë numri i përgjithshëm i lëndëve në punë, i lëndëve në pritje në fillimin e vitit 2022 dhe lëndëve të pranuara gjatë vitit 2022, është 17 mijë e 102 lëndë.
Një situatë e tillë do të ndikonte që shumë qytetarëve potencialisht t’iu shkelet e drejta për gjykim të drejtë dhe në afat të arsyeshëm.
Kështu, rastet gjyqësore të të akuzuarve për shtytje në vrasje të rëndë, Driton Latifi, si dhe të akuzuarit për vrasje të rëndë, Shefki Asllanit, kanë qenë ndër rastet me prioritet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pasi që në të dyja rastet është e shqiptuar masa e paraburgimit për të akuzuarit.
Për shkak të dorëheqjes së gjyqtarëve të ngarkuar me rastet e lartpërmendura, Radosllav Markoviq dhe Veljko Vuqetiq, të njëjtat kanë kaluar tek gjyqtarët shqiptarë Rrahman Beqiri dhe Gëzim Ademi, por që ende nuk janë caktuar shqyrtimet gjyqësore të radhës.
Mbrojtësi i të akuzuarve në dy rastet e lartpërmendura, avokati Mahmut Halimi, për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se në lidhje me problematikat dhe pasojat e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë, nuk është bërë sa duhet.
“Në të dyja rastet, procedura ka qenë afër përfundimit, edhe një ose dy seanca dhe do të kishin marrë epilog, por që nga data 7 nëntor kur gjyqtarët kanë dhënë dorëheqje, më nuk ka pasur asnjë lëvizje të vetme, tashmë që pothuajse po bëhen 3 muaj nga dorëheqjet e tyre. Unë këto shqetësime i kam adresuar me shkrim tek gjyqtarët që tanimë janë të ngarkuar me këto lëndë, tek nën-kryetari i Gjykatës së Mitrovicës si dhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, por asnjë përgjigje nuk kam marrë”, tha avokati Halimi.
Avokati Halimi tha se është njoftuar se gjykata është në bisedime me KGJK-në në mënyrë që lëndët të cilat nuk po mbërrijnë të trajtohen nga gjyqtarët aktual, të trajtohen nga gjyqtarë të gjykatave të tjera në Kosovë, të cilët eventualisht do të mund të transferoheshin në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
“Duket sikur këtu nuk ekziston asnjë parim kushtetues, ligjor dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat e rregullojnë çështjen e gjykimeve me prioritet, të cilat duhet të përfundohen në kohë të arsyeshme, sa më shpejtë që të jetë e mundur”, shtoi avokati Halimi.
I njëjti tha se është njoftuar nga kryetari i Odës së Avokatëve në Mitrovicë, se janë rreth 50 raste ku të akuzuarit janë me masë të paraburgimit, të cilët presin të dalin në gjykim apo presin epilogun e gjykimit, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
“Kemi mbetë në situatën më të keqe të mundshme, e dimë se Mitrovica gjithmonë ka qenë e ndikuar nga tollovitë e aspektit politik, ku më së keqi kanë kaluar palët në procedurë në kompetencë të Gjykatës së Mitrovicës”, ka thënë Halimi.
Ndërsa, çështjet gjyqësore me të cilat kanë qenë të ngarkuar gjyqtarët serbë në Departamentin e Përgjithshëm, Divizionin Civil, nuk janë bartur tek gjyqtarët e vetëm në këtë divizion, Skender Shala dhe Blerim Halimi.
Sipas Raportit Statistikor të Gjykatave të Republikës së Kosovës, publikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për periudhën e vitit 2022, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë numri i përgjithshëm i lëndëve civile në punë, të lëndëve civile në pritje në fillimin e vitit 2022 dhe lëndëve civile të pranuara gjatë vitit 2022 është 10 mijë e 716 lëndë.
Avokati Agim Lushta, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se dorëheqjet e gjyqtarëve serbë kanë pasur ndikim negativ në kuptimin e zvarritjes së procedurave të tanishme gjyqësore civile, por edhe të rasteve më të vjetra, të cilat janë trashëguar nga gjyqtarët e mëhershëm, ndërsa tha se në rastet e gjyqtarëve të dorëhequr nuk po ndërmerren veprime.
“Përjashtim bëjnë rastet e natyrave urgjente, me caktimin e masave të përkohshme etj., por rastet e tjera të gjyqtarëve serbë nuk janë bartur dhe nuk janë duke u trajtuar nga askush, pa u marrë një vendim përfundimtar në lidhje me dorëheqjet e tyre”, ka shtuar avokati Lushta.
Pas dorëzimit të dorëheqjeve nga gjyqtarët serbë, janë paraqitur sfida si në menaxhimin e punës e po ashtu edhe në kryerjen e lëndëve në Divizionin e Apelit në veri të Mitrovicës, ku kanë punuar katër gjyqtarë nga radhët e komunitetit serb, e të cilët po ashtu kanë dhënë dorëheqje.
Po ashtu, dorëheqje ka dhënë edhe një gjyqtar i komunitetit serb në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Ndërsa, të gjitha lëndët e pazgjidhura në Divizionin e Apelit në Mitrovicën Veriore është dashur të barten dhe të gjykohen nga kolegjet e rregullta në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
“Në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë, numri i lëndëve të pazgjidhura nga lëmia penale është 27 lëndë, ndërsa nga lëmia civile janë 160 lëndë. Të gjitha këto lëndë janë bartur në Gjykatën e Apelit në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Blendë Mjekut, bashkëpunëtore profesionale në zyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit.
Kurse, sipas Këshillit Prokurorial të Kosovës, 10 prokurorë dhe 22 punonjës nga stafi i administratës nga radhët e komunitetit serb, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre nga data 7 nëntor 2022 e deri më tani.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se pas dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit administrativ nga radhët e komunitetit serb, ndër sfidat me të cilat po përballet Prokuroria janë numri i pamjaftueshëm i prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm si dhe përfaqësimi i lëndëve në gjykatë.
Kryeprokurori Ujkani ka thënë se lëndët me urgjencë – paraburgim, sekuestrim, dhunë në familje dhe lëndët me afat të hetimeve janë duke u trajtuar brenda afateve ligjore.
Ndërsa, sfidë mbetet numri i madh i lëndëve në trajtim, ku sipas të dhënave të ofruara nga kryeprokurori Ujkani, rezulton se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka rreth 8 mijë e 118 lëndë në punë, të të gjitha natyrave.
Kurse, prokurorët serbë të dorëhequr, kanë pasur rreth 4 mijë e 796 lëndë të të gjitha natyrave.
“Me angazhimin e menaxhmentit dhe prokurorëve është arritur që të menaxhohen fillimisht lëndët e natyrës urgjente, ndërsa në proces janë edhe lëndët tjera me të cilat kanë qenë të ngarkuar prokurorët e dorëhequr, kurse puna e prokurorëve aktual është rënduar për shkak të ngarkesës me lëndë në trajtim, dhe përfaqësimit të lëndëve në gjykatë” thuhet në përgjigjen e kryeprokurorit Ujkani.
Për “Betimi për Drejtësi”, kryeprokurori Ujkani ka thënë se me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, janë transferuar tre prokurorë, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë prokurorët Halim Borovci dhe Zef Prendrecaj, dhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj prokurorja Ajtene Zoni, duke shtuar se akualisht në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë 10 prokurorë.
Dorëheqjet po vazhdojnë të shqyrtohen në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin Prokurorial, por ende s’ka një vendim final.