Aktualitet
Pastori Akil Pano fiton gjyqin kundër komunitetit LGBT për nismën ‘Prindin 1 dhe Prindin 2’
Gjykata Administrative ka rrëzuar sot vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, institucion që i kërkonte pastorit të njohur Akil Pano të heshtte ndaj agjendës se komunitetit LGBT, e cila kërkonte që ligji shqiptar të ndryshonte emërimin e prindërve “baba dhe nënë” me “Prindi 1 dhe Prindi 2”. Lajmin e fitores së gjyqit e dha vetë pastori Pano dhe avokati Altin Goxhaj të cilët dolën LIVE në Facebook nga shkallët e Gjykatës Administrative.
“Kemi një lajm të mirë, sot ka qenë seanca e fundit të një gjyq që zgjati 2 vite në mbrojtje të babait dhe nënës. Beteja për të ruajtur dinjitetin e njeriut dhe martesës, sot ishte seanca e fundit dhe trupa gjykuese mori vendimin. Shqiptarët fituan, babai dhe mamaja vijojnë që të jenë babi dhe mami, nuk më prind 1 dhe 2. Unë jam shpallur i pafajshëm, jam shumë mirënjohës edhe për shqiptarët e mirë që besojnë se familja është e shenjtë. Ky është lajmi që kemi për ju. Kemi marrë një gur kilometrik fitoreje për çdo babë e nënë në Shqipëri,“-bëri me dije pastori Akil Pano.
Ndërsa në fjalën e tij, avokati Goxhaj tha se në gjyqin e sotëm është rrëzuar vendimi i Komisionerit se Pano ka nisur një fushatë keqinformimi të mbushur me gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTI+, duke përdorur median, rrjetet sociale dhe mbështetjen e ndjekësve të tij. Pretendimi i tyre është rrëzuar.
“LGBT kërkon që të shkojë drejt kafshimit të Kushtetutës. Ky gjyq kishte vlerë kushtetuese. Ata donin që të shkonin drejt Kushtetutës për të hequr babën dhe nënën. Thyerja e hundës sot këtu është një fitore për lirinë e besimit për të gjithë babat dhe nënat e Shqipërisë,”-shtoi Altin Goxhaj.
Pastori Pano reagoi pas një formulari të shpërndarë në institucionet arsimore. Fillimisht ai i kërkoi Ministrisë së Arsimit, drejtorive të shkollave e institucioneve të arsimit që të tërheqin menjëherë nga qarkullimi formularin që ishte shpërndarë nga komuniteti LGBTI. Kërkesa e LGBTI-së në Francë për të zëvendësuar fjalën “nënë” me “prindi 1” hapi një debat të madh. Në Shqipëri kërkesa shihej si një përpjekje për të deformuar familjen, ndërkohë që mbështetësit e grupit pretendonin se ishte një hap më tej drejt barazisë dhe trajtimit njësoj të fëmijëve të këtij grupi.