Connect with us

Rajon

Pastroi 250 mln euro/ Momenti i arrestimit të 52-vjeçarit shqiptar

Mediat greke kanë publikuar pamjet e arrestimit të një drejtuesi të mafies shqiptare të drogës në Glyfada në Greqi. Video zbulon se si personat e Prokurorisë së Drogës në Drejtorinë Operative të SDOE- së në Glyfada, vepruan për arrestimin e një anëtari kryesor të kartelit të drogës, i cili “pastroi” 250 milionë euro në një periudhë 10-mujore, raporton “Protothema”.

52-vjeçari me origjinë shqiptare u arrestua në Glyfada. Ai kërkohej me një urdhër-arresti evropian, si drejtues i një organizate kriminale të përfshirë në grumbullimin dhe shpërndarjen e shumave të mëdha parash në Holandë nga tregtia e drogës. Në një video shihet faza e fundit e operacionit të Prokurorisë, të cilët të veshur me jelekë të verdhë dhe duke u shtirur si pastrues të Bashkisë, i bëjnë shenjë 52-vjeçarit të ulë shpejtësinë sa më shpejt, teksa del me motor nga parkingu i kompleksit të apartamenteve.Arrestimi vjen si rezultat i një bashkëpunimi afatgjatë të Prokurorisë së Narkotikëve pranë Drejtorisë Operative të S.D.O.E. Atikë me autoritetet përkatëse holandeze. Organizata kriminale trafikonte në baza ditore, nëpërmjet një sistemi bankar “të nëndheshëm”, duke përdorur komunikime të koduara, shuma të mëdha parash dhe llogaritet se për një periudhë rreth 10 mujore trafikoheshin 250 000 000 euro. Në fakt, 52-vjeçari mbante një profil të ulët në Greqi, nuk ishte arrestuar asnjëherë, madje nuk kishte marrë as fletë-thirrje.

Autoritetet holandeze kanë kërkuar ekstradimin e tij, por ai refuzon. Gjatë hetimit janë sekuestruar edhe telefona celularë, përfshirë një celular që përdoret për biseda të koduara përmes aplikacioneve speciale, tableta, disqe dixhitale dhe karta SIM. Në fakt, njëri nga dy celularët konsiderohet shumë i rëndësishëm dhe do të ndihmojë në hetimin e autoriteteve holandeze.

Advertisement