Kronike
Pastruan 11 mln euro para krimi nga parajsat fiskale, 2 në pranga
Tiranë- Një burrë dhe një grua janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës pasi akuzohen se gjatë 2 viteve, nëpërmjet kompanive fiktive guacke, kryen transferta bankare me vlerë 11 milionë euro. Paratë vinin nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta silleshin fillimisht në Shqipëri, më pas transferoheshin në Kanada.
Dy të arrestuarit me vendim gjykate janë Darin Gezdari dhe bashkëpunëtorja e tij Arlinda Marku.
Ata rezultojnë pronarë të 10 kompanive fiktive, kryesisht në fushën e konsulencës por që në të vërtetë vepronin për të bërë transferimin e parave.
Nga referimet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, dhe në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare pas një pune intensive disa mujore, këta dy persona u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj.
Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale.
Nga 10 kompanitë 7 ishin regjistruar në emër të Gezdarit dhe 3 të Markudhes. Policia sqaron se transferimi i 11 milionë eurove është bërë brenda 2 viteve.
“Nga këto veprime ka rezultuar se 2 shtetasit, gjatë periudhës 2021 – 2022, bashkëpunuan për të krijuar kompani fiktive, nëpërmjet të cilave transferuan para me burime kriminale, nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta, fillimisht në Shqipëri, më pas në Kanada” informoi sot policia e Tiranës.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara prokuroria dyshon se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj, të lidhur me këtë aktivitet kriminal, për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre, informoi sot prokuroria e Tiranës.
Vijojnë hetime të thelluara, për të përcaktuar burimin e kundërligjshëm të parave, si dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë, shqiptarë dhe të huaj, të implikuar në këtë skemë kriminale.
Gezdari dhe Markudhe u arrestuan gjatë operacionit ‘Cost to cost’. Bashkë me arrestimin Gjykata e Tiranës kishte firmosur edhe vendimin për kontrollin e banesave të dy shtetasve.