Connect with us

Bota

Pasuria/ A e ndryshoi Berlusconi testamentin në spital?

Pas vdekjes së Silvio Berlusconit dhe spekulimeve për trashëgimtarët e tij, dy pyetje të reja po vijnë për të dhënë një frymë trazirash në skenën e trashëgimisë. A janë të vërtetë zërat se gjatë shtrimit të parafundit të këtij viti, ish-kryeministri italian ndryshoi testamentin? A do të mund të jetojë partnerja e tij e fundit, Marta Fascina, në vilën e njohur Arcore, jashtë Milanos?

Sipas informacioneve të fundit, familja Berlusconi ka vendosur që fillimisht të presë mbledhjen e nesërme të aksionerëve të Fininvest, në Milano.

Kjo është kompania e investimeve, e cila kontrollon të gjitha aksionet e grupit Berlusconi, ndaj duhen shmangur të papriturat dhe tensionet.

Për sa i përket pasurisë, vlera e bizneseve të krijuara nga “Cavaliere” llogaritet të kalojë 5 miliardë euro, me mbi 20 mijë të punësuar.

Por mbi të gjitha, duhet të konstatohet nëse perandoria e Berlusconit (tre kanale televizive, shtëpia botuese Mondadori, sigurimet Mediolanum e të tjera) do të mbetet ashtu siç është apo do të vendoset për ta shitur pjesërisht. Grupi francez Vivendi ka shprehur prej kohësh interes për blerjen e kanaleve televizive, por përgjigja e deritanishme ka qenë gjithmonë negative.

Gjithashtu në rast se me hapjen e testamentit tre fëmijët më të vegjël të manjatit italian do të gjenden në disavantazh, sigurisht që do të ketë komentues që do ta interpretojnë atë si një “hakmarrje” e të ndjerit ndaj ish-bashkëshortes dhe nënës së tyre, Veronica Lario, e cila nuk e mbështeti dhe kërkoi divorcin gjatë skandalit “bunga bunga”.

Së fundi, është parametri thjesht politik, me të ardhmen e partisë Forza Italia. A do të vazhdojnë ta mbështesin trashëgimtarët e Silvio Berlusconit me fonde bujare apo do të preferojnë ta ndalin këtë eksperiment politik?

Advertisement