Connect with us

Aktualitet

Pasuritë e “5D”-së/ Lekët e korrupsionit me tenderat në Bashki kalonin në toka dhe apartamente private

Në dosjen hetimore “5D”, zbardhen dhe disa kontrata të pasurive të blera përmes këtij aktiviteti.

Rezultojnë rreth 1 milionë e 100 mijë euro kontrata për blerje të apartamenteve, por dhe të trojeve. SPAK dyshon se paratë janë siguruar nga kompania që merrte tendera klienteliste.

Paratë e fituara në tendera të dyshimtë korruptive, shoqëria “5D” i ka investuar në pasuri të paluajtshme.

Në dosje rezultojnë kontratat e lidhura me persona fizikë, apo shoqëri të tjera me qëllim blerjen e tyre edhe në Tiranë.

Asetet kanë kaluar në filtrin e prokurorisë, ku rezulton se “5D”-ja ka blerë nga Mustafa dhe Xhevahire Huta një sipërfaqe toke prej 40 metër katrorë me vlerën e 1.350.000 lekëve.

Një tjetër sipërfaqe toke e blerë nga shoqëria “VAS Konstruksion”, që më pas e ka ndryshuar emrin në “5 D” ndodhet në rrugën “Niko Avrami”.

Kontrata është lidhur nëpërmjet Anita Ulajt dhe me cilësinë e blerësit ka nënshkruar Ornela Qato, për një shumë prej 45.000.000 lekësh.

Nga Henri Kashari, është blerë një truall me sipërfaqe 425 metër katror me vlerën e 212.499 lekëve, truall me sipërfaqe 7349 metër katror, nga e cila ndërtesë me sipërfaqe 2100 metër katror kundrejt 130 mijë eurove, me palë shitësi Dhurata Plakun.

Një tjetër gjetje është edhe bashkëpunimi mes Selim Mollës, i cili ka blerë nga Vjollca Delijorgji një sipërfaqe prej 500.16 metër katrorë dhe çmimi është 380.000 mijë euro ku 180 mijë do të paguheshin menjëherë dhe të tjerat pas 6 muajsh.

Në tregun e blerjeve të pasurive të paluajtshme, është përfshirë edhe administratori Nestor Muhametllari.

Ky i fundit ka blerë nga Eriseld Xhaferri një apartament në shumën e 170.000 eurove, ku 120 mijë euro do të jepeshin brenda 7 ditëve dhe kësti i dytë do të paguhej nëpërmjet një kredie bankare.

Nga verifikimi i lëvizjeve të llogarisë bankare në llogarinë e Nestor Muhametllarit, rezulton një transfertë e ardhur nga shoqëria “5D”, me vlerën e 100 mijë eurove.

Nga kontrolli i banesës së Nestor Muhametllarit, hetuesit kanë zbuluar një kontratë me zyrën e “Remax” me blerës Andreina Muhametllarin dhe shitës Eriseld Xhaferrin.

Objekti i kontratës ishte pikërisht apartamenti në fjalë, ku çmimi i shitjes ishte rënë dakord për shumën 230 mijë euro.

Advertisement