Connect with us

Bota

Patriotët nisen drejt Ukrainës/ Trump: Putin tjetër thotë e tjetër bën pas krahëve të mi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të dërgojë raketa mbrojtëse ajrore Patriot në Ukrainë, duke nënvizuar se ato janë të nevojshme për të mbrojtur vendin, sepse presidenti rus Vladimir Putin “flet mirë, por pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje”.
“Ne do t’u dërgojmë atyre Patriotët, të cilët u nevojiten, sepse Putin flet mirë në fillim dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje. Por ka një problem të vogël këtu. Nuk më pëlqen”, u tha Trump gazetarëve në Bazën e Përbashkët Andrews jashtë Uashingtonit.
“Ne në thelb do t’u dërgojmë atyre pajisje të ndryshme ushtarake shumë të sofistikuara. Ata do të na paguajnë 100% për këtë, dhe ne jemi dakord”, shtoi ai.
Trump nuk i dha një numër të saktë raketash Patriot që planifikon t’i dërgojë Ukrainës, por tha se Shtetet e Bashkuara do të rimbursohen për koston e tyre nga Bashkimi Evropian. Presidenti amerikan është i pakënaqur me Putinin sepse ky i fundit i ka rezistuar përpjekjeve të Trump për të negociuar një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar më shumë mbrojtje për të shmangur valën e sulmeve të përditshme me raketa dhe dronë nga Rusia.
Trump ka planifikuar të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar për Ukrainën dhe çështje të tjera gjatë kësaj jave./Reuters
Që kur mori detyrën në janar, Trump e bëri mbarimin e luftës në Ukrainë prioritet kryesor në politikën e jashtme.

Advertisement