Politike
PD as e ‘begenisi’ për kandidatin, Lapaj shpërthen ndaj PD: Nuk dua të prish festën, por…
Pesë përfaqësues të opozitës janë përballë gazetarëve sonte në “Opinion”, npër të diskutuar për zgjedhjet e pjesshme në vend e veçanërisht ato në Tiranë.
“Si opozitë e bashkuar, kemi pasur takime me të gjitha partitë parlamentare për të gjetur idetë më të mira, për të bashkuar forcat me çdo faktor opozitar, këdo forcë politike opozitare. Qartazi kemi pasur një qëndrim në raport me Lëvizjen Bashkë për shkak të qëndrimeve të kundërta me Partinë Demokratike. Kushdo që do një front të unifikuar përballë Ramës, ne i mirëpresim”, u shpreh fillimisht Belind Këlliçi i Partisë Demokratike.
Sipas tij, ende nuk janë konkluduar emrat e mundshëm për të qenë pjesë e kësaj gare, megjithatë kjo do vendoset më tej në tryezën e aleatëve.
Sipas Agron Shehajt të Partisë Mundësia, opozita edhe pse nuk është në ditët e saj më të mira, duhet të dalë me një kandidat jashtë partive politike, gjë që sipas tij është absolutisht e mundur.
“Është kjo formulë që të jep mundësinë të shkosh përtej votave të opozitës”, tha Shehaj.
Ndërsa Adriatik Lapaj i “Nismës Shqipëria Bëhet” tha se pavarësisht se ka marë baltë nga ata që u ka shtrirë dorën, është prapë i gatshëm për bashkëpunim.
Mllefi i Lapajt me gjasë lidhet me faktin që negociatorër e PD as e takuan dhe as telefonuan.
“Nuk dua të jem ai që prish festën! Por mënyra si po procedohet nuk është e duhur, po procedohet përmes një kandidati partiak. Po flasim për një qytet me afro 700 mijë votues, 600 e ca mijë, qyteti më i madh. Po flasim për elektoratin më të madh në vend”, deklaroi ai.
Lapaj theksoi se ky qytet duhet të prodhojë një burrë ose një grua dinjitoze për atë pozicion.
Pavarësisht nga sa deklaroi më sipër, e bëri të qartë se nuk do të ketë marrëveshje me subjektet opozitare, pasi sipas tij, nuk mund të bëhet palë e një procesi partiak.