Politike
PD e “gjen” një kandidat për Bashkinë e Tiranës

Nënkryetari i Këshilltarëve Demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka deklaruar se është i gatshëm të kandidojë për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme vendore nëse kjo do t’i propozohet nga opozita. Teliti u shpreh se kandidimi nuk është një sakrificë, por një detyrë që çdo pjesëtar i opozitës duhet ta marrë përsipër.
“Patjetër që do të pranoj të kandidoj si kryetar. Për mua kjo nuk është sakrificë, është detyrë. Çdokush në politikë, deputet apo jo, këshilltar apo ekspert, duhet të jetë i gatshëm. Mua më intereson suksesi i opozitës,” u shpreh Teliti.
I pyetur nga moderatori Endri Xhafo nëse duhet të ushtrohet presion mbi ndonjë kandidat për të marrë pjesë në garë, ai theksoi se presioni nuk është rruga e duhur:
“Nuk duhet të ketë presion mbi askënd. Por kur je pjesë e një familjeje politike, ndonjëherë duhet të marrësh përsipër detyra që mund të mos të pëlqejnë.”
Teliti theksoi se opozita ka një shans real për të fituar, nëse arrin të bashkojë të gjithë faktorët kundër qeverisë aktuale.
“Zgjedhjet nuk janë të humbura. Votat ndahen: 48% për PS dhe 52% për partitë e tjera. Duhet të gjejmë një kandidat që bashkon të gjithë faktorët kundër Ramës dhe të ndalojmë mekanizmat kriminalë që çojnë në tjetërsimin e votës.”
Ai shtoi se një kandidat politik, jo teknik, është më i përshtatshëm në këtë fazë, duke theksuar nevojën për mobilizim të strukturave, pavarësisht mungesës së një date zyrtare për zgjedhjet.
“Kur merresh me politikë, ngritja e strukturës pa një datë ka kosto financiare. Ne do bëjmë fushatë me mjetet që kemi. PS ka luksin të garojë e vetme, ndërsa ne duhet të gjejmë një figurë që të bashkojë opozitën.”
Në fund, Teliti mohoi që i është bërë presion mjekut Ilir Alimehmeti për të marrë pjesë në garë, duke theksuar se çdo vendim duhet të vijë nga bindja personale dhe përgjegjësia politike.

