Politike
PD e humbi shansin e besueshmërisë kur u bashkua me Ramën për Kodin Zgjedhor, Hasimja: Ekziston rreziku i shpërbërjes së plotë të PD
Ermal Hasimja ka dhënë një analizë të gjerë mbi situatën politike në vend, duke u ndalur veçanërisht tek gjendja e opozitës dhe roli i Partisë Demokratike.
Ai ka komentuar mbi protestat, strategjitë e PD-së, marrëdhëniet me mazhorancën dhe sfidat e lidershipit, duke theksuar se besueshmëria e një partie nuk krijohet me deklarata, por me qëndrime të qarta politike.
“Partia Demokratike mendoj se ishte e pashmangshme të mos organizonte një protestë pas akuzave të fundit. Nëse nuk do ta organizonte, të gjithë do ta kishim gjykuar se nuk po bënte detyrën e saj,” tha Hasimja, duke shtuar se pjesëmarrja e ulët lidhet me lodhjen e qytetarëve dhe fatalizmin se asgjë nuk ndryshon.
Sipas tij, PD kishte synuar protesta të mëdha, por rezultati tregoi mungesë besueshmërie për një alternativë qeverisëse ndryshe nga ajo që ka ofruar deri tani PS-ja.
“PD-ja humbi një shans shumë të mirë për të fituar besueshmëri para elektoratit duke u bashkuar me mazhorancën dhe me Ramën për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, të cilat synonin zhdukjen e partive të vogla,” u shpreh Hasimja, duke nënvizuar se aty ku kishte mundësi të tregonte integritet, PD tregoi se ishte më e interesuar për qëllimet e veta.
Ai shtoi se është pozitive kur partitë kryesore gjejnë gjuhën e përbashkët, por problem mbetet fakti që PD bashkohet me PS për të përsëritur të njëjtën praktikë të së kaluarës.
“Nga njëra anë PD-ja ofrohet si qendër gravitacioni për bashkimin e opozitës, ndërkohë nga ana tjetër sillet ndryshe, dhe kjo është problem i madh për këtë parti. Do të kishte fituar shumë pikë partneriteti nëse do të mbante një qëndrim parimor, jo thjesht të mbronte partitë e vogla që përfaqësojnë 150 mijë vota, por mbi të gjitha të provonte para elektoratit shqiptar se ka integritet dhe moral politik,” tha Hasimja.
Sipas tij, kur PD “heq qafe” partitë e vogla dhe të rejat, nuk ndihmon largimin e Ramës nga pushteti, por përkundrazi betonizon raportin e forcave mes PD-së dhe PS-së në parlament.
“Pra është duke dobësuar paradoksalisht edhe vetveten. Nga pikëpamja strategjike, cilido që e ka këshilluar PD-në në këtë rrugë, mendoj se ka menduar gabim,” komentoi ai.
Duke analizuar mënyrën e përzgjedhjes së një kandidati të pavarur dhe të mbështetur nga PD, Hasimja tha se ka shumë rezistencë brenda partisë, pasi individë të shumtë presin të jenë vetë kandidatë.
“Çështja është kjo: a jemi në gjendje si shoqëri dhe opozitë të prodhojmë një kandidat që të arrijë të marrë votat e partive të opozitës dhe të elektoratit gri? PD në këto momente e ka shumë të vështirë të garantojë edhe 100% të votave të veta, jo më të marrë votat e të pavendosurve,” theksoi ai.
I pyetur nëse duhet të largohet apo jo lideri i PD-së, Sali Berisha, Hasimja u shpreh se “Nga pikëpamja e legjitimitetit kjo është e drejta e vetë partisë. Ne mund të japim vetëm mendime apo sugjerime, por nuk kanë asnjë lloj vlere. Për aq kohë sa Sali Berisha vazhdon dhe qëndron ende aty, kjo do të thotë se ka mbështetje të fortë. Ata që nuk janë dakord me z. Berisha nuk janë shumicë dhe nuk janë në gjendje ta zëvendësojnë me dikë tjetër.”
Si një opsion, Hasimja përmendi mundësinë që Berisha të dalë në pension, duke hapur skenarë të rinj brenda PD-së. “Ka shumë grupe që është e vështirë të bashkoheshin për të drejtuar partinë, por ekziston rreziku i një shpërbërjeje të plotë të Partisë Demokratike,” përfundoi ai.