Politike
PD ka nevojë për “pastrim rrënjësor”/ Luan Baçi: Të largohen të gjithë përveç Berishës
Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi theksoi nevojën për një “pastrim rrënjësor” në parti, duke nisur nga drejtuesit politikë, dhe se duhen hapur hapësira për prurjet e reja në parti. Në një intervistë në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH me Arbër Hitajn, Baçi tha se ka nevojë për një reflektim në Parti dhe se duhet identifikuar dobësitë e saj në mënyrë që të kthehet besimi te demokratët.
Ndërsa lidhur me kreun e PD-së, Sali Berisha, deputeti Baçi tha se prania e tij është domosdoshmëri pasi diti të bashkojë partinë dhe ta “shpëtojë” opozitën, duke i rikthyer shpresën qytetarëve.
“Jemi përballë një farse dhe 11 maji nuk ka qenë për faj të drejtuesve politik. PD ka nevojë për një pastrim rrënjësor në kuptimin mirë të fjalës. Ajo që ne e quajmë analizë, duhet të fillojnë takimet me demokratët dhe me gjetjen e dobësive që kemi brenda vetes dhe patjetër që duhet të fillojë nga drejtuesit politik pasi janë ata që përpiluan listat e mbyllura dhe të hapura dhe shembullin e Bujar Leskajt duhet ta ndiqnin edhe shumë të tjerë. Duhet një reflektim, ndryshe nuk mund të funksionojnë dhe demokratët nuk kanë më besim që nesër do të fitojmë. Është i njëjti ekip që zbret dhe humb dhe i njëjti do zbresë sërish për të kërkuar fitoren. Lidhur me kreun e PD, unë nuk jam për kultin e individit, por në situatën ku ndodhet PD, Berisha ka treguar diti ta mbledh partinë, t’i mbijetonte në momente më të vështira të PD. Shpëtoi opozitën, PD, pluralizmin. Prania e Berishës në krye të PD është domosdoshmëri, pjesa tjetër duhet ta lehtësoje dhe ndihmojë duke krijuar hapësira për të prurë figura të reja në PD, për ta hapur PD. PD nuk mund të hapet duke u thënë figurave të reja hajdeni ju pas nesh për të na bërë sërish deputet. Ata kanë nevojë të kenë përfaqësimin e tyre politik në të gjithë strukturën e partisë deri në piramidën e PD”, tha Baçi.