Kosova
Peach përfundon vizitën në Kosovë, kërkon progres në themelimin e Asociacionit
I Dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, pas vizitës së zhvilluar në Kosovë, ka deklaruar se është informuar për një sërë çështjesh, përfshirë edhe sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, teksa ka kërkuar progres në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Progresi në themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe dhe konteksti i zbatimit më të gjerë, me marrëveshjet e arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është pjesë e rëndësishme e këtyre përpjekjeve” – ka deklaruar Peach, duke garantuar se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar siguri në Kosovë, do të vazhdoj.
Ai ka theksuar se të njëjtin mesazh e ka përcjellur edhe në Serbi, gjatë vizitës së tij javën e kaluar.
“Pas dhunës së muajve të fundit, tani me angazhimin e përforcuar të sigurisë ndërkombëtare, është koha për të adresuar shqetësimet dhe për të vazhduar me përpjekjet për të siguruar që të gjithë qytetarët të ndjejnë se kanë një të ardhme dhe një Republikë të larmishme dhe multietnike të Kosovës” – ka theksuar emisari britanik
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovës, Peach, përveç se me kryeministrin Kurti, është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.