Politike
Peleshi: Incidenti në Gramsh po hetohet me vëmendje
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një deklaratë për mediat kanë reaguar sërish në lidhje me incidentin e ndodhur në Gramsh ku u sulmuan 2 ushtarë shqiptarë nga 2 shtetas rusë dhe një ukrainas. Ministri Peleshi u shpreh se institucionet vepruan në kohë dhe siç duhet. Ministri u shpreh se rasti po hetohet me seriozitet dhe se nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
‘Ka disa nivele klasifikimi të pronave të ushtrisë. Padyshim që ato që janë të klasifikuara nuk është e lehtë madje e pamundur të depërtohet brenda tyre. kemi dhe site të tjera të cilat janë të vizitueshme, por vizita bëhet vetëm me leje. Ky është rasti i tre uzinave tona. Në Gramsh demontohen armë të ndryshme. Aktiviteti i fundit ka qenë vitin e kaluar. Ka pushuar se funksionuari si uzinë. Kemi të bëjmë me një grup të huajsh të cilët as nuk kanë tentuar ta vizitojnë atë zonë ushtarake me leje sipas procedurës. Ngjarja e Gramshit po trajtohet me shumë seriozitet. Mund të jetë një ngjarje që nuk na shqetëson shumë se çfarë kanë fotografuar, por mund të ketë qëllim për një skenar tjetër. Jetojmë në një rajon delikat. Jo të gjitha shtetet kanë të njëjtën axhendë. Nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.’- tha Peleshi.
lajmi ne perditesim
Ministri i Brendshëm: Uzina e armëve është objekt i deklasifikuar pa sekrete shtetërore, por hetimet do shkojnë deri në fund
Pavarësisht se Uzina e armëve në Gramsh është objekt i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror, hetimet për spiunazh për dy rusët dhe ukrainasin që tentuan të futen në mënyrë të jashtëligjshme duke sulmuar dy ushtarë do të shkojnë deri në fund. Kështu bëri me dije Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një konferencë për mediat për çështjen në fjalë, ku ndodhet së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Agresioni që shkaktuan rusët e ukrainasi, si edhe pajisjet që kishin me vete, ministri Çuçi tha se përbëjnë material për dyshim, pavarësisht se mund të jenë edhe turistë që kanë interes për të fotografuar objekte të luftërave të ndryshme.
“Ky objekt është deklasifikuar, për nga pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit që kanë ushtruar ndaj ushtarëve janë marrë nën hetim nga prokuroria. Prokuroria bashkë me policinë do e zbërthejë çështjen. Ka turistë aventurierë që e kanë si synim fotografimin e objekteve me karakter të veçantë që ishin pjesë e një industrie të luftës së ftohtë, ndaj do hetojmë deri në fund për të hetuar çdo pozicion të gjithkujt në këtë ngjarje. Deri tani nuk ka vend për spekulime. Edhe për ngjarje të tjera të ngjashme kemi qenë shumë të qartë. Përfundimi i hetimeve do të tregojë se çfarë qëllimi kishin këta njerëz, pavarësisht se objekti është i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror”, u shpreh Çuçi.
Ministri tha se elementët e rinj që do të dalin në lidhje me përfundimin e hetimeve do të komunikohen me publikun.