Aktualitet
Pëllumb Xhufi: Kryepeshkopi Janullatos do të ikë nga Kisha Autoqefale, nuk e lënë grekët

Historiani Pëllumb Xhufi kujtoi në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv grushtin kishtar që ndodhi në gusht të 1992-shit te Rruga e Kavajës në Tiranë, kur u hodh ideja që do zgjidhej kryetari i Kishës Autoqefale Shqiptare. Xhufi thotë se hirësia e tij Anastas Janullatos u zgjodh në kundërshtim me kanunet dhe procedurat e kishës më 2 gusht. E megjithatë 7 vjet më parë, thotë profesori, Janullatos deklaroi se do të largohet nga Shqipëria, por nuk e lanë grekët.
Dritan Hila: Profesor fortlumturia e tij, hirësia Anastas Janullatos ka bërë thirrje që ortodoksët mos kenë frikë të deklarojnë kombësinë në Cens2023 dhe kjo është me spec. A thua ti këtu po i persekuton njeri ortodoksët dhe ka bërë thirrje që ta deklarojnë besimin. Kur ka çështje të nxehta Janullatosi mban anën e grekëve, p.sh në rastin Beleri. A kemi ndonje lloj regresi nga ana e Kishës Autoqefale Shqiptare. A ka ardhur momenti që të bëhet një reformë sepse fakti që kjo është Autoqefale e kërkon dhe bashkëpronësinë e shtetit mbi të, apo jo?
Pëllumb Xhufi: Po e kërkon dhe kështu ka qenë. Mirëpo u bënë kaq shumë lëshime dhe tani është parimi: e drejta e fituar nuk hiqet. Këtu është problemi. Nuk e heq dot atë që e ke lënë të bëhet. Edhe këtu u shkel me të dyja këmbët që më 2 gusht të vitit 1992, ku në valën e gushtit u bë një grusht kishe, te Rruga e Kavajës. Nën presionin e shtetit grek, me prezencën e autoriteteve greke të ardhur enkas nga Greqia, në një ceremoni që u hoq si një ceremoni e zakonsheme e së dielës, del zoti Dule që atëherë ishte dhjak i kishës dhe thotë; jemi që jemi të zgjedhim kryetarin e kishës. Filloi rrëmuja në kishë pastaj, se kishte dhe shqiptarë që thoshin; çfarë është kjo.
Kur bëhet zgjedhja e kryepeshkopit, nëse një person thotë, nuk është i denjë, nuk bëhet. Jo vetëm kjo, por e thonë kanunet e kishës që; një peshkop i ardhur me ndihmën e pushtetit shekullar është i paligjshëm. Në dy gusht u bënë zgjedhjet në kishe në kundërshtim me kanunet e kishës, në kundërshtim edhe me procedurën. Pasi u bë rrëmujë në kishe, grupi i ardhur nga Athina, Ambasada Greke në Tiranë me kryepeshkopin Janullatos shkuan te Hotel Tirana dhe e mbaruan aty procedurën.
Para një 7 vjetësh hirësia e tij bëri një deklaratë që mua më habiti, ishte shumë njerëzore. Ai deklaroi në një televizion grek që: “Ka ardhur koha që unë do largohem nga kreu i Kishës Autoqefale Shqiptare se nuk është e drejtë që një i huaj të drejtojë një kishë të një vendi tjetër. Si do na vinte në grekëve nëse në krye të kishës do na vinte një bullgar.” Unë e simpatizova pastaj dhe fakti që nuk ka ikur pas gati 7 vjetësh tregon që atë nuk e lënë të ikë. Ai është nën presion. Ai duhet të ikë: për faktin që shkoi takoi një të inkriminuar në burg dhe që mbajti anën e Kacifës, apo kur ndodhi aksidenti me himarjotin Guma që vranë në aksident.

