Connect with us

Politike

Pengmarrje, apo duel i padrejtë/ Ilirjan Celibashi vë në peshore Lapajn dhe Shabanin

Sot caktohet fati i Koalicionit Shqipëria Bëhet.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon sot seancën publike për caktimin e kandidatëve fitues të Koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, për Qarkun Tiranë, për zgjedhjet e 11 majit.

Deri në këtë pikë, asgjë nuk ka kaluar me qetësi.

Kreu i koalicionit, Adriatik Lapaj, një ditë më parë deklaroi dorëheqjen nga mandati i deputetit që pretendon se fitoi nga lista e hapur.
Por njëherazi ftoi edhe aleatin e tij në koalicion, Endri Shabani të Nismës Thurje, që të bëjë të njëjtën gjë.

Një ftesë kjo, e cila nuk mbeti pa përgjigje nga ana e Shabanit, i cili e quajti “një duel të pabarabartë”.

“Jam thirrur në një duel publik me mjete të pabarabarta nga Adriatik Lapaj. Theksoj ‘me mjete të pabarabarta’ sepse shpifja, gënjeshtra, fabrikimi i të vërtetës janë mjete që kanë një epërsi të caktuar mbi atë që nuk di dhe nuk do që t’i përdorë”.

Fillimisht ishte Lapaj, i cili akuzoi Shabanin se po mbante peng mandatin e fituar nga koalicioni më 11 maj dhe i bëri ftesë publike për dorëheqje.

Gjithashtu pretendoi se u bë lojë që Lapaj të mos shkonte në Parlament.

“Marrëveshja nuk po zbatohet, më vjen keq, fjalët e dhëna nuk po mbahen. Ftoj zotin Shabani që të vij vetë dhe të mbajë fjalën për të kërkuar që mandati të shkojë te më i votuari i koalicionit. Ai kërkon që të marrë mandatin e deputetit që i takon më të votuarës së Shqipëria Bëhet. Sistemi aktual na i mohoi 6 mandate me sistem të padrejtë”.

Por, sipas Shabanit, këto janë shpifje.

“Adriatik Lapaj po shpif ndaj meje, po gënjen për mua dhe po përpiqet të fabrikojë një të vërtetë të tijën, duke u përpjekur të dalë i larë nga një çorbë që e ka gatuar vetë. Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe s’kam pse apo si të kem ndonjë qëllim për të penguar Adriatikun të hyjë në Parlament”, ka thënë ai.

Lapaj ka thënë se “unë e mbaj fjalën dhe do e mbajë, por në ishim në koalicion dhe së pari mandati duhet të vij te unë më parë dhe zoti Shabani nuk pranon, që ky mandat të shkojë më pas te zonja”.

Sipas tij, “koalicioni ka qenë bashkim për zgjedhje, ruan individualitetin juridik dhe politik. Ai nuk është më i votuari”.

“Nisma thurje mori mbi 4 mijë vota dhe Shabani mori mbi 2400 vota. Pra votat i mori koalicioni, mandati është marrë me votat e mbështetësve të Shqipëria bëhet. Kjo është betejë për të mbajtur fjalën e dhënë e jo për një mandat. Ne nuk kërkuam votën për t’u bërë pjesë e të vjetrës, por për t’i dhënë fund pazareve me lista të mbyllura dhe për të garuar në listat e hapura. Zoti Shabani, eja të japim dorëheqjen dhe mandati të kalojë te zonja Ambeli”.

Por, sipas Shabanit, problemi qëndron te daja (Zeqiri), i cili nuk pranon të tërhiqet sepse ndjehet i fyer dhe i kërcënuar nga sjelljet dhe premtimet e thyera nga Lapaj.

Po ashtu ai thekson se nuk mund ta detyrojë dajën të tërhiqet, pasi është person më vete, dhe nuk pranon që Lapaj ta bëjë atë përgjegjës për vendimet e dikujt tjetër.

Ai shton se vetë Lapaj nuk merr përgjegjësi për njerëzit e tij, duke përmendur edhe raste të familjarëve të Lapajt që sipas tij, kanë bërë presione.

“E kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht me të, se për mua ai, apo kushdo tjetër që ai do (përfshi Greta Ambelin apo Kleana Xhuvelin), mund të shkojë dhe të marrë mandatin”.

Por Lapaj tha se Shabani po bën këtë lojë politike me dajën e tij dhe përgjegjësia në fund nëse ai nuk pranon, do i mbetet kreut të Nismës Thurje.

“Ne do kundërshtojmë ligjërisht nëse KQZ nuk i ka pranuar dorëheqjet e dorëzuara. Kështu përfundoi kjo punë, sjellje jokorrekte ndaj qytetarëve. Ne shpresojmë se ato dorëheqje do pranohen. E shpjegova,Shabani duhet të vijë këtu dhe të ndërmarrë angazhimin e vendosur së bashku, listat e hapura. Ashtu sikurse Kordhoni edhe të tjerët kanë dhënë dorëheqjen. Ne do ta kundërshtojmë, do i shkojmë deri në fund kësaj gjëje, ka firma të hedhura. Unë jam i gatshëm të jap dorëheqjen nga ai mandat dhe që ai mandat t’i kalojë zonjës Greta Ambeli. Ana Dajko është nëna e një kandidatin tonë, zonja Xhuveli është kushërira ime. Zoti Kordhoni ëhstë daja i Shabanit”.

Më tej ai pretendoi se po bëhej qëllimisht lojë politike, që ai të mos shkojë në Parlament, sepse është kundër qeverisë.

“Ne e dimë historinë, ideja është që të mos shkojë Lapaj në parlament, ndaj duan Kordhonin, që të shkojë mandati te Rama. Kryeministri Rama prej dy muajsh këtë po kërkon, duan ta kenë mandatin e deputetit tonë në vathën e tyre. Ne duam të zvatohet marrëveshja, po u zbatua mirë, po nuk u zbatua përgjegjësia i mbetet Shabanit”, tha Lapaj.

Mirëpo, Shabani ka theksuar se “nuk kam dhe s’kam pse apo si të kem ndonjë qëllim për të penguar Adriatikun të hyjë në Parlament”.

“Kur kemi folur me Zeqirin, ai na ka thënë troç që nuk është politikan dhe premtimet i merr seriozisht. Prandaj edhe e kishte besuar Adriatikun kur thoshte se do të jepte dorëheqjen nëse do të ishte deputet i vetëm. Kështu si shkuan gjërat, sidomos pas kërcënimeve nga njerëz të partisë së Adriatikut, ai ndihet edhe më i bindur që nuk duhet të dorëzohet përballë presionit, sepse sipas tij, Adriatiku është një gënjeshtar si çdo politikan i vjetër”.

Ai po ashtu ka thënë se i vjen keq që “një lider i ri si Adriatiku nuk merr asnjë përgjegjësi vetë për këtë teatër politik me familjarët, të cilin na e sugjeroi si një ‘gjetje gjeniale’. Ky truk ekstra-ligjor kishte padyshim risk, sepse varej te vullneti i atyre që pranonin të përdoreshin si ‘placeholders’ (mbajtës radhe). Prandaj edhe duhej menaxhuar me shumë kujdes”.

Kujtojmë se kandidati Zeqir Kordhoni, pjesë e listës së mbyllur të Koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, ka vendosur të mos tërhiqet nga mandati i deputetit.

Në një deklaratë zyrtare të noterizuar dhe drejtuar KQZ-së më 15 korrik, Kordhoni shprehet qartë se do të ushtrojë mandatin e deputetit nëse shpallet fitues, duke i kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos marrë parasysh asnjë deklaratë të mëparshme të bërë në emrin e tij nga koalicioni politik që e propozoi.

“Kërkoj që KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të depozituar më parë nga Koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ ose në emrin tim dhe të marrë në konsideratë vetëm këtë deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim”, thuhet në dokumentin zyrtar të Kordhonit.

Koalicioni NSHB kishte ndërtuar një strategji politike për të siguruar ulësen në Kuvend për Lapajn, duke futur 12 kandidatë fiktivë në listën e mbyllur në qarkun e Tiranës.

Këta kandidatë, sipas marrëveshjes së brendshme, do të dorëzonin mandatin pas zgjedhjeve, për t’i lënë vendin liderit të koalicionit, Adriatik Lapaj, i cili ishte edhe më i votuari nga lista e hapur.

Por, kjo skemë mund të dështojë nëse ndonjë nga kandidatët e listës së mbyllur – siç ka ndodhur tashmë me Zeqir Kordhonin – zgjedh të mbajë mandatin, duke mos i hapur rrugë Lapajt për të hyrë në Kuvend.

Advertisement