Connect with us

Aktualitet

‘Pension 40 mijë lekë dhe pagë minimale 50 mijë’/ Çfarë prezantoi sot Ministri i Financave për 2026

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin e vitit 2026, duke e cilësuar atë si “kontratën e qeverisë me qytetarët” dhe një hap vendimtar drejt zbatimit të programit qeverisës 2025-2029. Ai theksoi se ky buxhet nuk është vetëm një dokument financiar, por një angazhim konkret për zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e mirëqenies sociale dhe përshpejtimin e integrimit europian.

Ministri deklaroi se projektbuxheti është hartuar mbi bazën e analizave makroekonomike, parashikimeve të balancuara të të ardhurave e shpenzimeve dhe prioriteve strategjike të vendit.

Buxheti I vitit 2026 parashikon 886.7 miliardë lekë shpenzime dhe 823.1 miliardë lekë të ardhura, ndërsa deficit buxhetor ulet në 2.3% të PBB-së. Borxhi publik pritet të zbresë në 53.6% të PBB-së, niveli më I ulët I dekadës së fundit.

Një nga pikat më të rëndësishme të këtij buxheti është nisja e reformës së pensioneve, sikurse e tha edhe kryeministri Edi Rama ditën e djeshme. Kësisoj, duke filluar nga 1 janari 2026, të gjithë kategoritë e pensionëve do të rriten ndjeshëm. Pensioni urban me vite të plota pune do të arrijë në 40 mijë lekë, nga 27,350 lekë që është sot. Pensioni urban I pjesshëm do të shkojë në 22 mijë lekë, pensioni rural në 18 mijë lekë, njësoj edhe pensioni familjar, ndërsa pensioni I invaliditetit do të arrijë në 30 mijë lekë. Malaj theksoi se kjo rritje është një akt respekti dhe dinjiteti për brezat që kanë kontribuar në ndërtimin e vendit.

Një tjetër element kyç është edhe rritja e pagës minimale, e cila nga 1 janari i vitit 2026 do të jetë 50 mijë lekë. Qeveria synon që ta çojë deri në 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mije lekë deri në fund të mandatit. Për herë të parë do të zbatohet indeksimi automatik I pagave në administratën publike çdo dy vite. Rritje page do të ketë edhe për punonjësit e sektorëve mbështetës, ndërsa kosto totale e pagave dhe indeksimit, llogaritet rreth 10 miliardë lekë dhe do të prekë mbi 144 mijë punonjës në nivel qendror dhe vendor.

Advertisement