Bota
Pentagoni heton një pajisje misterioze të lidhur me Sindromën e Havanës
Pentagoni ka shpenzuar më shumë se një vit duke testuar një pajisje të blerë përmes një operacioni të fshehtë, të cilën disa hetues e konsiderojnë potencialisht të lidhur me Sindromën e Havanës.
Bëhet fjalë për një sërë simptomash misterioze neurologjike që prej vitit 2016 kanë prekur diplomatë, oficerë inteligjence dhe personel ushtarak amerikan në mbarë botën.
Zbulimi i ekzistencës së kësaj pajisjeje ka rihapur një debat të mbyllur për vite mbi shkakun real të incidenteve.
Ende nuk ka një përfundim zyrtar, por disa hetues e shohin pajisjen si të lidhur me dhjetëra raste të ashtuquajtura “incidente anormale shëndetësore”.
Një burim i njohur me analizat teknike tha se pajisja prodhon valë radio pulsuese, një karakteristikë që prej vitesh është konsideruar nga disa shkencëtarë si një mekanizëm i mundshëm pas Sindromës së Havanës.
Pajisja përmban komponentë rusë, edhe pse nuk është plotësisht me origjinë ruse, çka ka rritur ndjeshmërinë politike dhe shqetësimin brenda komunitetit të inteligjencës.
Në këtë kontekst, del sërish në pah fakti se një incident i tillë është regjistruar edhe në Serbi.
Në vitin 2021, CIA evakuoi një oficer inteligjence amerikan nga Beogradi pasi ai shfaqi simptoma të rënda, përfshirë marramendje, dhimbje koke dhe probleme konjitive – simptoma tipike të Sindromës së Havanës.
Zyrtarë të njohur me pajisjen e testuar nga Pentagoni thanë se një nga sfidat kryesore mbetet mënyra se si një sistem kaq i fuqishëm mund të jetë edhe i lëvizshëm.
Sipas një burimi, pajisja mund të futej brenda një çante shpine, duke ngritur shqetësime serioze për përdorimin e saj në mjedise urbane dhe në vende ku operojnë diplomatët dhe shërbimet inteligjente.
Megjithëse një panel i inteligjencës në vitin 2022 vlerësoi se disa incidente mund të ishin shkaktuar “në mënyrë të besueshme” nga energji elektromagnetike e jashtme, komuniteti i inteligjencës në vitin 2023 deklaroi se një fushatë e koordinuar nga një kundërshtar i huaj ishte “shumë e pamundur”.
Ish-oficeri i CIA-s Marc Polymeropoulos, i cili thotë se u lëndua në Moskë në vitin 2017, deklaroi se nëse qeveria amerikane ka zbuluar pajisje të tilla, institucionet duhet t’u japin viktimave një shpjegim dhe përgjegjësi publike.