Bota
Pentagoni shpenzon miliona për karavidhe, gaforre dhe biftek – indinjatë në SHBA
Departamenti amerikan i Mbrojtjes shpenzoi një shumë rekord prej 93.4 miliardë dollarësh në kontrata dhe grante gjatë shtatorit 2025, sipas një raporti të publikuar nga organizata e transparencës fiskale Open The Books.
Sipas raportit, niveli i lartë i shpenzimeve lidhet me rregullin buxhetor të njohur si “use it or lose it”, që nënkupton se fondet e pashpenzuara deri në fund të vitit fiskal mund të reduktohen në buxhetin e vitit pasardhës.
Raporti tregon se mes blerjeve të kryera në fund të vitit fiskal përfshihen edhe produkte ushqimore luksi.
Konkretisht, Pentagoni ka shpenzuar rreth 6.9 milionë dollarë për karavidhe, 2 milionë dollarë për gaforre mbretërore dhe 15.1 milionë dollarë për biftekë.
Përveç ushqimeve, fondet janë përdorur edhe për blerje të tjera, përfshirë mobilje, pajisje elektronike dhe madje edhe një piano Steinway me vlerë rreth 100 mijë dollarë.
Këto shpenzime kanë ngjallur kritika, pasi shumë analistë dhe organizata të transparencës i konsiderojnë ato si shpenzime të panevojshme në fund të vitit fiskal, të nxitura nga presioni për të përdorur buxhetin e miratuar përpara se ai të skadojë.