Kronike
Për 10 minuta 100 plumba drejt familjes Kurtaj, çfarë ndodhi në Malësinë e Madhe

Dy ngjarje tronditëse kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në Malësinë e Madhe. Mësohet se pasditen e djeshme është qëlluar me armë zjarri drejt 3 personave të familjes Kurtaj në fshatin Linaj. Shënjestra e këtij sulmi ishin Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj, ku në drejtim të automjetit të tyre është qëlluar me afro 100 plumba. Autorët ishin dy persona të maskuar që po qarkullonin me motor.
E gjitha nisi pasi në në orët e para të mëngjesit të datës 1 shkurt, dy personat e maskuar po shkonin me motor drejt një zonë malore, sulmojnë banesën e familjes Kurtaj dhe qëlluan drejt kamerave të sigurisë së tyre, të cilët i kanë vendosur sepse mbajnë disa kafshë.Por, gjatë pasditës, kur dy autorët janë kthyer, anëtarët e familjes Kurtaj kanë njohur motorin dhe i ndaluan për t’i pyetur pse qëlluan drejt kamerave të sigurisë, por ata nuk iu janë përgjigjur dhe janë larguar. Menjëherë pas kësaj, tre vëllezërit i ndoqën nga pas dhe autorët qëlluan drejt makinës së tyre me afro 100 plumba për 10 minuta.
Njëri nga autorët u rrëzua nga motori, por kjo nuk e ka bërë të ndalojë sulmin sepse është futur në një arë dhe ka vijuar të qëllojë edhe nga aty. Ndërkohë personi tjetër ka vazhduar rrugën duke qëlluar dhe është arratisur. Tre anëtarët e familjes kanë lajmëruar Policinë dhe gjatë dëshmisë së tyre kanë thënë se nuk i njohin dy autorët që i sulmuan. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve që qëlluan me armë zjarri.

