Kosova
Për Albin Kurtin, kompromis është fjalë e huaj
Marrëveshja me bazë planin franko-gjerman do të ishte “një hap i rëndësishëm drejt normalizimit” thotë ish i dërguari i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch, por shton se kjo nuk nënkupton marrëveshje përfundimtare. Ai s’ka dyshim se lufta në Ukrainë e ka bërë Berlinin dhe Parisin më aktivë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Përsa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ish i dërguari i BE-së tha se “ka ardhur koha për negociata konkrete”.
“Albin Kurti mund të thotë se nuk e dëshiron Asociacion në një mënyrë të caktuar, por nuk mund ta refuzojë themelimin e Asociacionit. Parimi i së drejtës ndërkombëtare dhe shteteve juridike është se marrëveshjet e nënshkruara duhet të respektohen edhe nga qeveritë e mëpasshme, pa këtë rregull nuk do të kishte marrëdhënie ndërkombëtare” – tha Petritsch
Diplomati austriak tha se ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishin “njëfarë respekti” ndaj njëri-tjetrit, ndërsa Kurti është personalitet tjetër
“Kam qenë në takime të ndryshme mes Vuçiç dhe Thaçit dhe kam përshtypje se ata e respektonin njëri-tjetrin në një farë mënyre. Duhet besim i ndërsjelltë në negociata. Albin Kurti është një person tjetër, një person për të cilin, me sa duket, termi ‘kompromis’ është një fjalë e huaj. Dhe ai nuk është i vetmi në rajon, ku nuk ka kulturë kompromisi. Albin Kurti kompromisin e konsideron humbje” – tha Petritsch.