Kosova
Për njohjen e Kosovës, Biden me urgjencë të caktojë një…Ja çfarë propozon Joseph
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, duhet të emërojë një ‘Emisar Special për njohjen e Kosovës’ nga pesëshja e Bashkimit Evropian, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – propozoi Edward Joseph, ligjërues në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, në një raport të fundit.
Joseph, në pjesën kushtuar rolit të SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, propozoi gjithashtu se paralelisht me emërimin e një të dërguari të posaçëm për njohjen e Kosovës, administrata e Bidenit duhet të sanksionojë në Shqipëri dhe Kosovë, liderët që promovojnë ndonjë lloj ‘unifikimi’ të këtyre dy vendeve të pavarura.
“Administrata e Bidenit mund të nxisë ofertën për konvergjencë nëpërmjet emërimit të njëkohshëm të një të dërguari të ri të posaçëm kushtuar njohjes së Kosovës, paralelisht me shpalljen e sanksioneve të SHBA-së për liderët në Shqipëri apo Kosovë që promovojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë” – ka shkruar Joseph mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Ai gjithashtu argumentoi se emërimi i një përfaqësuesi të veçantë u tregon të gjitha palëve, duke përfshirë edhe mosnjohësit brenda BE-së, seriozitetin e administratës amerikane për konvergjencën dhe qëllimin e SHBA-së: një zgjidhje dinjitoze, stabilizuese dhe të përhershme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi që do të çojë në përmbylljen e çështjeve të hapura në këtë rajon.
“Emisari Special për njohjen e Kosovës mund të punojë gjithashtu me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendet që janë bindur nga Serbia për të hequr njohjen e Kosovës… Emërimi i një të dërguari special për njohjen e Kosovës do të nënvizonte pritshmërinë amerikane për ndryshime të vonuara nga vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën”, shtoi ndër të tjera Edward Joseph.