Connect with us

Shkrime

Për të “ndriçuar” paksa Fevziun

Nga Kastriot Kotoni

Para disa ditësh në emisionin “Opinion” të gazetarit të angazhuar djathtas Blendi Fevziu pamë një orë mësimore se si administrohen dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në duart e gazetarit koleksionist orësh,  vezullonin marka të reja të orëve dhe gjatë gjithë asaj guide në ambientet e Autoritetit të Dosjeve kameramani dukej shumë i impenjuar për të shfaqur sa më dukshëm orët në dy duart e gazetarit. E ndoqa emisionin me kureshtje për të mësuar ndonjë informacion të ri nga të intervistuarit, e ajo çfarë më bëri përshtypje ishte një emision i stisur me sebepin për të treguar transparencën e Autoritetit të Dosjeve, e sikur ky i fundit e kishte thirrur me padurim gazetarin sipër t’u shfaqësuar ndaj dikujt.

Prisja si të gjithë një intervistë me personazhe që i ka prekur hapja e dosjeve dhe sinqerisht u zhgënjeva me ata njerëz që rrëfeheshin përpara gazetarit me servilizëm patetik. Kujt i duhej se si hapen kutitë e kartonit me ca dokumente që janë krijuar në kohë të ndryshme e sipas ligjeve të kohës, për ato cilësime të caktuara mbrenda konceptit të kohës. Pjesa më interesante ishte objekti ku ishte vendosur ky “Autoritet” dhe mënyra e ruajtjes duket një investim serioz.

Gazetari koleksionist nuk merr përgjigjet që priste në çdo sentencë provokimi nga fillimi deri në fund të emisionit të tij. Në studion e tij ai këmbëngulte sërish të imagjinonte shifra të paimagjinueshme me numrin e dosjeve edhe pse përpara se ta përgatiste emisionin mund të ish konsultuar me një zyrë të Shërbimit Informativ ose tek vetë Autoriteti i Dosjeve. Por edhe kur aludoj për libra të botuar nga specialist të Sigurimit të Shtetit, ironikisht rrudhi buzët.

Unë e kam pas fatin që ta komentojë në media librin “SIGURIMI I SHTETIT SHQIPTAR DHE PLURALIZMI” me autor zotin Bujar.Sh. Hoxha. Në këtë libër jepet me saktësi mënyra e rekrutimit dhe si përpilohej një dosje, dhe kush ishin personat që ndiqeshin me përparësi dhe nga cilat shtresa shoqërore vinin. Po citoj:

“Në fundin e dimrit 1992, në seminarin e zhvilluar nga CIA në Sofie të Bullgarisë me shefat e shërbimeve sekrete të Evropës Lindore ku ishim dhe ne thotë Bujar Sh Hoxha. Rezultonte se 55-60% e popullsisë së atyre vendeve ishin informatorë sekret. U pranua se në këto vende, duke përfshirë dhe ish Bashkimin Sovjetik, një në katër ose pesë qytetarë ishin informatorë sekret.

Kryeqyteti kishte në arkivat e saj dosje që zinin 5.2% të personave në ndjekje dhe 4.8% të qytetarëve që bashkëpunonin fshehurazi me SSH. Për të shuar kureshtjen shton ndër të tjera B.Sh Hoxha, kujtoni Kryetarin e Komisionit të Vlerësimit të Fgurave Nazif Bezhani, që para shqiptarëve në televizionin shtetëror deklaroi në vitin 1998 se 4% e popullsisë në Shqipëri kishin dosje, nga këto 1.5% ishin dosje përpunimi dhe 2.5% ishin bashkëpunëtorë të fshehtë. Të arratisurit nga Shqipëria ishin 12.000 ku regjistroheshin kriminelët e luftës, lista e tyre ishte e veçantë. Numrin më të madh e përbënin personat ose grup personash(famljar) të arratisur në vitet 1944-1946, periudhë ku shteti ishte në formim e sipër. Nga numri i përgjithshëm i dosjeve në raport me popullsinë, 5.2% që kishte Tirana, afërsisht 30% e tyre cilësoheshin në fushën e ndërgjegjes dhe arratisjes.

Nga këto 70%(e 30%) e tyre thekson Hoxha, këshilloheshin dhe demaskoheshin nga kuadrot e lartë të Komiteteve të Partive. Në këto dosje futeshin persona që ndiqeshin për spiunazh apo tendenca të mprehta, kryesisht me çedime të forta klasore, por që përfaqësonin një minoritet. Gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare të sistemit komunist numri i tyre shkonte në shifrën 17.200 persona që mbartnin lloje të ndryshme dënimesh. Nga ky numër 8.500 ishin të dënuar të ndërgjegjes që emërtohej agjitacion propogandë dhe tendencë arratisjeje, ndërsa të tjerët mbanin fajësinë e spiunit, terroristit, lloje të ndryshme dënimesh, sabotatorit etj.

Pas vitit 1978, porosia e prerë ishte që arrestimi në fushën e ndërgjegjes të ishte “fisheku i fundit”. Nëse një person në gjuhën profesionale emërtohej objekt, fokusohej si kundërshtar i regjimit për çdo tendencë kriminale si spiun, terrorist, sabotator, apo agjitacion e propogandë, ndiqej me masa aktive. Verifikoheshin rrethanat paraprake, aplikoheshin mjete operative të regjistrimit të aktivitetit illegal, grumbulloheshin provat e domosdoshme dhe në analizë të fundit, gjykohej masa e sigurisë: këshillim, demaskim, arrestim apo forma operative. I diferencuari pë t’u goditur me arrestim i kalonte sektorit të hetuesisë që detyrohej të verifikonte të dhënat operative, provat kishin vlerën e deklarimeve operative të administruara dhe rrethana të tjera plotësuese.

Më pas e gjithë dosja dërgohej në Drejtorinë e Hetuesisë së Përgjithëshme në Tiranë për vlerësim. Relacioni me provat shkonin tek Prokurori i Përgjithshëm, që saksiononte apo refuzonte masën e arrestit. Kështu u veprua me rezidenturën “Bomba”. Nëse nuk do të ishte parandaluar, grupi “cubat e Hasit” do të kishte qenë si fitil shpërthyes për ngjarje më të frikshme. Me deponimet e Manit dhe Ukës do arrestoheshin dhe persona të tjerë, disa prej tyre do të rrëfeheshin për krimet e kryera. Do të zbuloheshin vjedhjet masive në dhjetra dyqane të zonës së Hasit. Nëntëdhjetë e nëntë dyqane kishte zona e Hasit, të gjitha të grabitura mëse një herë.

Do të zbuloheshin djegiet e stallave me bagëtitë brënda, hapja e portova të rezervuarëve, që përdoreshin për vaditjen në ”Hasin e Thatë” dhe implikimin e disa personave me imunitet. Në këto implikime do regjistroheshin persona nga zona e Tropojës, ku SSH do niste proçesin lidhës “Merimanga”. Mekanizmi i atentatit ndaj Ramiz Alisë në fund të proçesit do të zbardhej plotësisht. Tentativa e parë niste në Kukës, duke përdorur helmin në ushqim dhe ujin e pishëm, skenaristi një kimist kuksian që do të futej në vëmendjen e sigurimit. Më pas varianti i bombës në miting, në dalje të Hasit me snajper dhe finalja ishte lënë në Tropojë. Aksioni terrorist ishte parandaluar, qoftë dhe për një fije, dy autorët u kapën me presh në duar”.

Kjo është e vërteta shkruan Bujar. Sh. Hoxha ish drejtues i lartë i Sigurimit të Shtetit.

I nderuar koleksionist i orëve mbase nuk ka lidhje me saktësinë e tyre simbolika e emisioneve të tua për nga faktet, por edhe qosteku i gjyshit tim është aq i saktë sa për shumë shqiptarë ka ekzaktësi të pakundërshtueshme të fakteve kokëforta qysh prej 150 vjetësh.

Advertisement