Connect with us

Rajon

Për Vuçiçin, Orban shantazhon BE-në/ Serbia zgjedh mundësi të tjera

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se Serbia duhet të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian, përndryshe Beogradi do të zgjedhë bashkëpunimin me partnerët e tjerë dhe Brukseli do ta humbasë këtë vend.

“Ne duhet të kryejmë detyrën e vjetër të zgjerimit përpara se të fillojmë një zgjerim të ri me Ukrainën. Nëse nuk e integrojmë Serbinë sa më shpejt që të jetë e mundur, do ta humbasim. Ajo ka edhe mundësi të tjera. Sapo ka përfunduar një marrëveshje me Kinën“ – tha Orban për gazetën austriake, Die Presse.

Kryeministri hungarez e quajti gjithashtu zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor një “prioritet kryesor” për Budapestin gjatë presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, i cili fillon më 1 korrik.

Marrëdhëniet gjithnjë e më të mira midis Beogradit dhe Budapestit mbështeten në një sistem të ngjashëm qeverisjeje. Kështu shkruan gazeta gjermane Neue Zürcher Zeitung. Lufta në Ukrainë, sipas gazetës në fjalë, ka forcuar edhe më shumë aleancën mes të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë muajit dhjetor dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian, asnjë nga pesë shtetet anëtare të Unionit, të cilët nuk e kanë njohur Kosovën, nuk shprehën kundërshti, kurse Hungaria po. Shefi i diplomacisë së Hungarisë, u deklarua atë kohë se nxitimi i Kosovës për anëtarësim në BE mund të pengojë një zgjidhje kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë, dhe për këtë arsye ai bëri të ditur se nëse është e nevojshme Hungaria në këtë fazë mund të vërë veton ndaj aplikimit të Kosovës në BE.

Beogradi dhe Budapesti, siç shkruan gazeta gjermane, kanë pasur marrëdhënie të mira ndër vite dhe lufta në Ukrainë i ka bërë aleatë të vërtet personazhet Viktor Orban dhe Aleksandër Vuçiç.

“Kjo miqësi nuk bazohet në marrëdhënie tradicionalisht të mira, përkundrazi”, shkruan gazeta, duke kujtuar rezultatin e Luftës së Parë Botërore, kur Vojvodina iu aneksua Serbisë. Sot, shumica e hungarezëve të Vojvodinës kanë shtetësi të dyfishtë dhe shoqatat e tyre marrin subvencione masive nga Budapesti. “Kjo nuk e shqetëson Beogradin.

Sepse bashkë me këtë vjen edhe mesazhi i Orbanit për hungarezët e Vojvodinës për të mbështetur Partinë Progresive Serbe të Vuçiç’it”, shkruan më tej gazeta. Sipas medias gjermane, pas këtyre marrëdhënieve fshihet një qëndrim i ngjashëm që kanë të dy vendet ndaj Moskës.

Advertisement