Kronike
“Për Zotin do me e heq”/ Pagoi për vrasjen e Ergys Dashit në Ekuador, kush është i riu
Ergys Dashi, i vrarë në Ekuador, është një nga personat që del në komunikimet me grupin e kokainës “Dajloku” në aplikacionet Sky ECC. Komunikimet e grupit “Dajloku”, në dosjen e SPAK, kanë zbardhur një episod ku anëtarët e rrjetit komunikojnë mes tyre për një person nga Berati i cili ka paguar shuma të konsiderueshme parash për të vrarë Ergys Dashin.
Kjo bisedë në aplikacionin Sky ECC, sipas dosjes së SPAK, është bërë më 13 Janar 2021, sipas “Unikos”. Ekzaktësisht një vit më parë, më 22 Janar 2022 Ergys Dashi u vra në Ekuador në një atentat mafioz.
Më 13 Janar 2021, Ismail Zeneli, një nga anëtarët e grupit të kokainës, komunikon me Besmir Muratin, edhe ky pjesë e rrjetit në dosjen e SPAK. Në të njëjtën datë në mbrëmje, Ismail Zeneli komunikon me Artan Sulejmanin, i cili nuk është pjesë e grupit por në biseda flitet për një sasi 20 kilogram kokainë.
Në këtë bisedë, Ismail Zeneli, i njohur dhe si Luan Sadrija, i shpreh shqetësimin se Ergys Dashin duan ta vrasin dhe për vrasjen e tij janë paguar shuma parash nga një person nga Berati, identiteti i të cilit mbetet ende i panjohur.
“I lutem Zotit ishalla i nis shpejt Ergysi, se kam frikë boll se po na e heqin. Ka hedh lekë ai beratasi me e heq. Se Ergys Dashi është be në Ekuador. Për Zotin ashtu më thanë, ka pagu lekë me e vra. I nisa 600 mijë Euro Ergysit, për atë jam tu pat frikë”, ka shkruar Ismail Zeneli gjatë komunikimit në Sky ECC, sipas dosjes së SPAK.
Në përgjimet e para nga dosja, gjatë komunikimeve me anëtarët e grupit të kokainës, Ergys Dashi shprehej se “në Ekuador e mbaj veten të fortë”. Ergys Dashi ishte personi i kontaktit në Ekuador ku jetonte prej disa kohësh dhe se aty siguronte kokainën.