Shkrime
Përdhunimi i raporteve Kosovë-Amerikë nga Albin Kurti
Nga Mero Baze
Në kulmin e tensioneve politike mes Kosovës dhe SHBA, së fundmi për hapjen e Urës së Ibrit, Kryeministri I Kosovës ka siguruar një ftesë lobistësh për në Konventën e Demokratëve në Çikago dhe poston andej selfie nga cepi I stadiumit, si për bërë karshillëk zyrtarëve amerikanë që turfullojnë kundër tij për shkak të politikës konfliktuale që ka ndërtuar me SHBA për katër vite.
Pastaj shkon jep intervista dhe deklaron se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA kurrë nuk kanë qenë më të mira, një gënjeshtër që më së paku I ngre nervat njërës palë, SHBA-s.
Tani pyetja e thjeshtë është përse ky njeri kërkon doemos që përveçse të shkatërroj raportet me SHBA edhe të tallet me SHBA, duke e sfiduar politikën zyrtare të SHBA me gjeste qesharake populiste për të gënjyer tre kater trushpëlarë në Kosovë?
I gjithë investimi katër vjeçar I Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës këto katër vite, ishte krijimi i një profili politikani që është I “pavarur” nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. E shoqëruar kjo me krijimin e vazhdueshëm të konflikteve dhe mbajtjen ndezur të tensioneve me Serbinë, Albin Kurti ka krijuar psikozën e gjendjes së luftës në Kosovë gjatë gjithë pushtetit të tij, për të mos lejuar kritikët por dhe mbështetësit e tij të flasin për një vend normal dhe ekonomi normale.
Kështu i vetmi produkt politik Albin Kurtit pas katër vitesh është rritja e frymës antiperëndimore në Kosovë e veçanërisht ajo kundër SHBA, për shkak të tij dhe mbështetësve të tij.
Pasi e ka bërë gjithë këtë investim, me aq mundim, pasi ka krijuar celula antiamerikane që e shikojnë të ardhmen e Kosovës vetëm tek konflikti I Kurtit me SHBA, atëherë përse duhet të shkosh duke blerë ftesa në një kuvend partie, ku askush nuk e di as kush je, as pse ke shkuar aty, në një kohë kur ambasadori I SHBA në Kosovë thotë se qeveria amerikane nuk e ka ftuar.
Kur për katër vite nuk të ka ftuar askush në Departament të Shtetit apo Shtëpia e Bardhe, duke qenë kryeministri I vendit më të rëndësishëm për SHBA në Ballkan, atëherë pse provokon me selfie nga një Konventë elektorale, ku pjesëmarrja ka vlerën e biletës së karrikes?.
Kujt do ti bësh karshillëk me atë fotografi, Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit, diplomatëve amerikan në Evropë e Ballkan?
Nuk ka dy Amerika, njëra në Shtëpi të Bardhe e tjetra në Konventë në Çikago. Janë e njëjta parti në pushtet . Nuk është se ka pas ndonjë inat Jo Biden me Albin Kurtin dhe do ta rregulloj Kamala Harris. Është Albin Kurti ai që I ka shpall luftë SHBA dhe ka themeluar antiamerikanizmin në Kosovë.
Kjo përpjekja për të “gjetur” një Amerikë tjetër që është me Albin Kurtin, I ngjan historisë së Sali Berishës, që mban trushpëlarët e tij me shpresë se atë e ka shpall “non grata” Edi Rama, Lul Basha dhe Sorosi, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk di gjë akoma.
Dhe për ti vënë kapak gjithë cinizmit të tij me SHBA përse duhet të thotë që marrëdhëniet e Kosovës me SHBA kurrë nuk kanë qenë më të mira.
Përse u duhen tallur institucionet e SHBA, Departamenti I Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë që shprehin shqetësimin që marrëdhëniet me Kosovën janë të këqija. Apo ato nuk arrijnë të kuptojnë se Albini vjen nga një vend ku një fjalë e urtë thotë se “ai që të shan të do”.
Si mund tiu thuash të mira raporteve me SHBA kur asnjëherë nuk të kanë ftuar zyrtarisht si kryeministër ndërsa çdo kryeministër tjetër i Kosovës e ka pas Uashingtonin, ndalesën e parë?
Albin Kurti deri tani ka shkuar vetëm për të takuar CEO e UBER-it, një kompani e famshme taksish dhe kjo vizita tani me këta që bëjnë kateringun e Konventës së demokratëve.
Kur thuhet që marrëdhëniet janë të shkëlqyera duhet ta thonë këtë të dy palët. Se kur e thotë vetëm njëra palë dhe tjetra thotë të kundërtën, quhet përudhim, jo dashuri.