Kosova
Perëndimi mbetet spektator, teksa Vuçiç po ringjall nacionalizmin feudal serb
“Serbia dhe serbët boshnjakë po aspirojnë gjithnjë e më hapur për një shtet të përbashkët dhe po zhvillojnë aleanca me Rusinë, ndërsa politikanët perëndimorë, përfshirë përfaqësuesin e lartë në BiH, Christian Schmidt, kanë injoruar dhe paralizuar deri tani këto aktivitete”- kështu shkruan Deutsche Welle.
Media gjermane në një koment autorial shkruan se “qeveria e presidentit serb Aleksandar Vučić, e inkurajuar nga politika agresive e Moskës, ka ringjallur ‘Hijen e Serbisë së Madhe’ për të cilën besohej se ishte e vdekur, dhe këtë nën emrin Bota Serbe, sipas modelit të Botës Ruse të Vladimir Putinit”.
DW vlerëson se “më 11 qershor ndodhi diçka që lideri ultranacionalist i serbëve boshnjakë, Milorad Dodik, kishte pritur për vite”, dhe kjo është që ambasada ruse në Sarajevë hapi një seksion në Banja Luka.
Më parë, siç thuhet, në Beograd u mbajt Kongresi Panserb në të cilin Dodik arriti direkt nga Moska, “ku ai pranohet rregullisht me ngrohtësi nga presidenti Vladimir Putin dhe ministri i jashtëm Sergei Lavrov”.
“Duket se në Perëndim, nëse askush tjetër, qeveria gjermane e ka kuptuar seriozitetin e situatës”, shkruan DW, duke përcjellë deklaratën e një zëdhënësi se manifestimi në Beograd “të paktën është shqetësues dhe i dëmshëm për BiH, për Serbinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Megjithatë, “fjalë të tilla të qarta në Perëndim nuk janë të zakonshme”, shkruan DW, duke shtuar se “shumë politikanë në Bashkimin Evropian dhe disa në SHBA e shohin Vučićin si ‘garantues’ të stabilitetit, ashtu siç Perëndimi deri në 1999 e shihte liderin e atëhershëm të Serbisë, Slobodan Milošević, si ‘ankor të stabilitetit’ në Ballkanin Perëndimor”.
“Vështirë është, megjithatë, të kuptohet fakti që përfaqësuesi i lartë në BiH, Christian Schmidt, detyra e të cilit është mbrojtja e Bosnjës dhe mbrojtja e marrëveshjes së paqes së Dayton-it, kryesisht qëndron anash problemit”, thuhet në komentin e politologut dhe ekspertit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Rotert.
Schmidt mezi reagon, edhe pse gjykata kushtetuese e ka shpallur festën e RS jokushtetuese, por liderët e serbëve boshnjakë e festojnë dhe veprojnë si të ishin një shtet i pavarur, ngjashëm me rajonet e vetëshpallura të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, shkruan DW.
“Schmidt kujdeset që të mos kritikojë Vučićin dhe qeverinë e tij, pa të cilët Dodik nuk do të ishte aq i fuqishëm. Një mungesë e tillë veprimi nga Schmidt shkon në favor të nacionalistëve serbë”, thotë DW, duke përfunduar se “pavarësisht të gjitha dobësive, funksioni i Schmidt-it është ‘linja e fundit e mbrojtjes’ për shtetin e Bosnjë dhe Hercegovinës”.