Connect with us

Kosova

Perëndimi si perëndimi i diellit, nuk ngroh/ Serwer: Serbia nuk ka hequr dorë

Daniel Serwer, profesor në universitetin Johns Hopkins tha se Serbia po synon te ketë ndikim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes projektit të ashtuquajtur “bota serbe” dhe se ai nuk e përjashton mundësinë që sërish të këtë tensione në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas tij, nuk do të ketë progres në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi  Serbia është në prag të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare më 17 dhjetor.

Eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor, ka shprehur gjithashtu shqetësimet e tij për mënyrën se si po rrjedh procesi i normalizimit. Sipas Serwer, përderisa Serbia nuk ka hequr dorë nga projekti i ashtuquajtur “bota serbe”, rajoni nuk ka për të gjetur qetësi.

Ai gjithashtu vlerësoi se nëse nuk ndëshkohet Serbia, atëherë ka rrezik që situata të tensionohet sërish edhe më shumë.

“Përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të vazhdojë përpjekjet e saj për të krijuar ‘botën serbe’ dhe natyrisht që kjo përbën shqetësim për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shihet qartë se evropianët nuk kanë një gjuhë të përbashkët për ta sanksionuar Serbinë pas asaj çfarë ndodhi në Banjskë. Në anën tjetër amerikanët  janë duke pritur rezultatin e zgjedhjeve në Serbi, dhe nuk dëshirojnë të marrin ndonjë vendim në këtë fazë që mund të nxiste më shumë nacionalizmin serb. E nëse nuk ka ndëshkim për Serbinë as pas zgjedhjeve, atëherë ka rrezik që situata mund të përshkallëzohet sërish” – ka thënë profesori Daniel Serwer.

Profesori amerikan theksoi se Vuçiç po tolerohet nga Perëndimi dhe po luan me disa karta në politikën e jashtme.

“Aleksandër Vuçiç e ka bërë të qartë disa herë se nuk është shumë i interesuar për dialog. Në anën tjetër edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rezervat e tij, por megjithatë ka më shumë vullnet se Vuçici, që procesi të ecë përpara. Nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bëjnë më shumë presion, atëherë jam skeptik për të ardhmen e këtij procesi. Vuçic nuk po e përfill shumë perëndimin. Mjafton të shohim raportet e tij të ngushta me Dodikun, Lukashenkon e Orbanin. Kjo besoj flet shumë. Ai është shumë i zoti të bëjë politikë me disa karta” –  u shpreh Serwer.

Teksa, duke folur për asociacionin e komunave me shumicë serbe, Serwer tha se Kosova në asnjë formë nuk duhet të pranojë një nivel të tretë të pushtetit.

“Përsa i përket Asociacionit, nuk do të ishte gjë e keqe nëse Serbia tregon transparencë se sa para do ndajë për serbët e Kosovës. Pra procesi duhet të jetë shumë transparent. Gjithashtu mënyra se si do të funksionojë Asociacioni, duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës. Pra në asnjë formë nuk duhet te lejohet një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë” – ka deklaruar Serwer.

Advertisement