Kosova
Përfundon seanca në Hagë, gjykimi ndaj Shalës vijon nesër
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka përfunduar seanca në të cilën është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala.
Dëshmitari i mbrojtur u është përgjigjur në pyetjet e ZPS-së, ndërsa seanca ka vijuar kryesisht e mbyllur.
Ndërsa Shala ka kërkuar nga trupi gjykues që seancat të mbahen publike, pasi janë marrë masa mbrojtëse për dëshmitarët.
Në anën tjetër, trupi gjykues ka theksuar se pas përfundimit të dëshmisë së këtij dëshmitari, transkripti i dëshmisë së tij do të rishikohet në kohën e duhur dhe do të bëhet publik.
Kujtojmë se Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.