Connect with us

Kosova

Përgjimet Kusari-Lila me Radojiçiq/ Hovenier: Është në listën e zezë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, nuk ka pranuar të komentojë shumë për përgjimet e publikuara nga gazeta Nacionale ku dëgjohet deputetja Kusari-Lila e Slavko Simiq.

Në këto përgjime, konfirmohet edhe komunikimi i shefes së deputetëve të VV-së, Kusari-Lila me politikanin famëkeq, Milan Radojiçiq.

Ambasadori Hovenier ka thënë se nuk mund të ofrojë shumë komente, por ka kujtuar se Radojiçiq është në listën e zezë të Amerikës.

“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-së”, tha ambasadori Hovenier, raporton RTV Dukagjini.

Këto deklarime ai i bëri pas hapjes së zyrave të reja të qendrës “Bonevet” në Pejë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se e ka të vështirë të thotë se janë afër arritjes së një zgjidhje për situatën në veri.

Megjithatë ai tha se deeskalimi i situatës në veri duhet të ndodh sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Do të thosha që SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike. Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangen momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.

Përgjimi i Kusari-Lilës me Simiqin

Gazeta Nacionale dje ka publikuar pjesën e parë të përgjimit të bisedave të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Gazetari Berat Buzhala ka treguar se përgjimet e janë bërë në qershor të vitit të kaluar. Biseda ndërmjet Kusari-Lilës e Slavko Simiqit është bërë në zyrën e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Në hyrje të bisedës, Slavko Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojiçiqin. Njeriu në listën e zezë të Amerikës, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe dhe i dyshuar për rastin Brezovica.

Në atë moment, Kusari-Lila ndërhyn duke i thënë “3-4 minuta”. Pra, duke pretenduar se nuk ka biseduar me Radojiçiqin 30-40 minuta, por 3-4 minuta, raporton ekskluzivisht Nacionale.

Në përgjimet e tjera që do të publikohen ditëve në vazhdim Kusari-lila koordinohet me Listën Serbe për temën e veteranëve, i ofendon kolegët e vetë nga partitë në opozitë dhe një letër që Radojiçiq ia ka përcjellur shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Slavko Simiq dëgjohet teksa i thotë Kusari-Lilës se ne që nga fillimi kemi pasur raport partnerësh. Këtë, shefja e deputetëve të VV-së nuk e mohon asnjëherë.

Advertisement