Kosova
Përkëdhelje nga frika/ Ish ambasadorin nuk e mbajnë më nervat
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka kritikuar qëndrimin që Perëndimi po mban ndaj Kosovës dhe qeverisë së Albin Kurtit në raport me vendimin për heqjen nga përdorimi të dinarit serb dhe mbylljen e strukturave paralele serbe në Veri.
“Po e ndjek nga afër çështjen. Unë po shoh se të gjitha kritikat vijnë për Kosovën. Personalisht unë jam më pak kritik se shumë kolegë të huaj në dukje, sepse sigurisht që në këtë moment duhet të pajtohemi të gjithë ne se Kosova është një vend i pavarur. Dhe sigurisht një vend i pavarur nuk mund të përbëhet nga të gjitha llojet e strukturave ilegale. Nuk e dija se kishte një bankë në Veri të Kosovës që nuk ishte pjesë e sistemit bankar të Kosovës. Kjo padyshim është shumë e çuditshme. E njëjta gjë me strukturat ilegale në Pejë dhe në Istog. E di që për serbët nuk është fort e bukur, por megjithatë ata duhet të pranojnë se nuk jetojnë në Serbi por në Kosovë, dhe duhet të pranojnë strukturat e Kosovës. E vetmja gjë që mund të pyesim është nëse duhet dhënë pak kohë për ta zbatuar dhe jo për ta bërë menjëherë heqjen e dinarit.” – ka deklaruar ish ambasadori
Ai gjithashtu e cilësoi këtë përqasje ndaj Beogradit dhe kritikat ndaj Prishtinës si politikë të gabuar pasi nuk ka asnjë arsye pse të ketë as monedhë serbe dhe as institucione paralele në një shtet të pavarur.
“Nuk e di nëse nuk ka patur paralajmërim paraprak. Sigurisht që mund ta shtynin pak vendimin per dinarin. Që nga pavarësia kemi shtyrë gjithçka dhe çdo gjë për të patur një situatë të qetë. Por një qëndrim i tillë na çoi në asgjë, na çoi në një konflikt të ngrirë. Shembulli është çështja e targave.
U shty dhe u shty dhe u shty disa herë, deri në një moment të caktuar ku u kuptua që nuk mund të shtyhej më. Mirë, ja po e shtyjmë pak, 6 javë. Por jo pastaj edhe 6 javë të tjera, e 6 javë të tjera. Jo! – theksoi Bosch.
Referuar sulmit të armatosur në Banjskë, ku Beogradi mbetet i pandëshkuar edhe pas 4 muajve, pavarësisht provave që Perëndimi ka në dorë, ndërsa Kosova vuan sanksionet e BE, ai tha se kjo është totalisht e pakuptueshme.
Ish-ambasadori u shpreh i çuditur me ndërkombëtarët që përkëdhelin sipas tij Serbinë, por nënvizoi gjithashtu se qasja e butë ndaj Aleksandër Vuçiçit vjen si pasojë e frikës se Beogradi mund të afrohet edhe më shumë me Moskën dhe kjo mund të çojë deri në përplasje me Rusinë.
“Ata duan të mos jenë shumë të ashpër ndaj Serbisë pasi mendojnë se nëse jemi shumë të ashpër me të, ata mund të shkojnë edhe më shumë drejt një përballje me Rusinë. Mendoj se është një politikë shumë e keqe. Nuk jam dakord me këtë. Por sigurisht që është jashtëzakonisht e çuditshme që Kosova ka sanksione, ndërsa është e vetmja që ka një qasje pozitive. Pozitive në raport me marrëveshjen e Ohrit. Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Banjska me shumë mundësi u mbështet nga qeveria në Beograd” – potencoi ish ambasadori holandez.