Aktualitet
Përkeqësimi i motit/ Banorët e Vlorës “marrin masa”, vendosin thasë me rërë në banesa
Pas përmbytjeve që goditën qytetin e Vlorës më 4 tetor dhe shkaktuan dëme të mëdha në banesa dhe biznese, qytetarët kanë marrë masa paraprake. Qytetarët kanë vendosur thasë rëre për të bllokuar vërshimin e ujit në shtëpi apo garazhe. Ndërkohë, instuticionet kanë nisur me pastrimin e kanaleve, por ato sërish janë të mbushur me mbetje.
Si pasojë e përmbytjeve në qytetin e Vlorës u dëmtuan 352 banesa dhe 80 biznese. Pronarët shprehen se ato ende nuk kanë marrë dëmshpërblim edhe pse janë kryer vlerësimet nga Bashkia e Vlorës, ndërsa prefekti Kristo Kiço tha se bashkia nuk i ka të gjitha fondet për dëmshpërblim, por prefektura do të kujdeset për të rregulluar kanalizimet. Sipas vlerësimeve janë shkaktuar rreth 60 milionë lekë, ndërsa bashkia ka vetëm 17 milionë lekë fonde.