Connect with us

Bota

Përmbyset kamioni me ndihma në Gaza, 20 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Gazën qendrore, pasi një kamion që transportonte ndihma humanitare u përmbys mbi një turmë civilësh që prisnin për ushqime.

Ngjarja ndodhi pranë kampit të refugjatëve Nuseirat, në një nga zonat më të goditura nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas një deklarate nga Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës, e cila vepron nën administrimin e Hamasit, incidenti ndodhi rreth mesnatës, në një rrugë të dëmtuar rëndë nga bombardimet izraelite, ku qindra civilë të uritur po prisnin ndihmat.

“Njëzet persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën rreth mesnatës… ndërsa qindra civilë po prisnin ndihmë,” – deklaroi zëdhënësi i agjencisë, Mahmoud Bassal.

Shoferët e kamionëve kanë deklaruar se shpërndarja e ndihmave është bërë gjithnjë e më e rrezikshme.

Hamasi ka akuzuar Izraelin se i detyron kamionët të ndjekin rrugë të pasigurta për të arritur në qendrat e shpërndarjes, ndërsa civilët kanë pritur me javë për nevojat më bazike.

Ndërkohë, përpjekjet për ndërmjetësim mes Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar javën e kaluar, pavarësisht presionit të shtuar ndërkombëtar për një armëpushim që do të lehtësonte krizën humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.

Advertisement