Aktualitet
Përmbyten 300 banesa në Durrës/ Banorët në protestë: Emergjenca Civile s’na u përgjigj
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, situata në vendin tonë paraqitet e kaotike. 300 banesa janë përmbytur në Durrës për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Deri më tani raportohet se 200 banesa janë përmbytur në zonën e ish-Kënetës, po ashtu 60 janë pushtuar nga uji në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në Njësinë Administrative numër 4, 1 shtëpi në Nj.Administrative nt. 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtëpi në Rrashbull.
Dhjetëra banorë të zonës protestuan sot, pasi u shprehën se mungoi ndërhyrja e Emergjencave Civile, për t’i ofruar ndihmë dhe për të parë dëmet që janë shkaktuar në banesa.
“Më ka arritur uji te dysheku i krevatit. Nuk kam lënë njeri pa marr. Djalin e kam alergjik, vajzën me probleme shëndetësore dhe asnjë nuk ka ardhur. Nëse ata nuk vijnë do vazhdojmë të protestojmë të paktën të na heqin ujin se është viti i tretë që përmbytem. Na premtojnë se do na japin ndihma, po asnjë gjë s’kemi marrë,”- tha një nga banoret që iu përmbyt banesa.
“Këtu po tallen me ne. Me frigorifer me gjithçka, asgjë nuk funksionon, erdhi zjarrfikësja ngriti duart përpjetë. Nëse nuk përgjigjen do dalim në protestë”, tha një tjetër.
Po ashtu, një qytetare e Durrësit, Dallëndyshe Lila ka bërë apel për ndihmë për situatën e rëndë të familjës së saj, pasi uji ka përmbytur lagjen dhe është izoluar. Lila ndodhet në Lagjen 17 në rrugën Adem Hoxholli tek zona e ish-Kënetës mbrapa Galaktikut në Durrës ku bën thirrje për ndihmë, pasi as Policia Bashkiake nuk mund të ndërhyjë për shkak të nivelit të lartë të ujit. Qytetarja shprehet se familja e saj është në gjendje të vështirë ekonomike.
Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Elio Jani, bën me dije se janë përmbytur 300 shtëpi, ndërsa në terren ndodhen 10 grupe për vlerësimin e dëmeve.
“Situata sot është më e qetë se mbrëmë. Bashkia e Durrësit ka gjithë administratën në terren. Janë 10 grupe për vlerësimin e administrimin e dëmeve. Janë 300 shtëpi të përmbytura, 200 vetëm në zonën 6, rajoni ish-Kënetës, 100 të tjera në të gjithë Bashkinë e Durrësit. Me punën e ndërhyrjet që po bëjmë situata do të jetë më e qetë”, tha Jani.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se janë evakuuar disa familje dhe po vijon puna për në terren për largimin e ujit nga zonat e prekura nga reshjet intensive të shiut, në një pjesë të bashkisë së Durrësit.
Gjithashtu edhe në qytetin e Vlorës situate u përkeqësua mbrëmjen e djeshme, ku për shkak të reshjeve të dëndura të shiut u përmbyten rrugët. Ndërsa, disa akse kryesore të vendit janë bllokuar për shkak të rrëshqitjes së dherave. Akset rrugore si Kukës-Bushtricë, Kukës-Shishtavec, Krumë-Kam-Tropojë, Bajram Curri-Fierz-Qaf Mali vijojnë të jenë të përfshira nga rënja e gurëve e dherave.
Por situata paraqitet problematike në aksin kombëtarë Kukës-Qaf Mali-Pukë ku nga segmenti Kolsh-Qaf Shllak ka prezencë të gurëve e dherave në rrugë, ndërsa njëra korsi vende vende është e bllokuar nga gurët e dherat.