Bota
Përmbytje masive në Italinë verilindore, një person humb jetën
Italia verilindore po përballet me përmbytje të mëdha. Për shkak të shiut të pandërprerë dhe vërshimit të lumenjve, pjesa më e madhe e qytetit të Bolonjës dhe rajoneve të Modenës, Emilia, Ravenna dhe Piacenza janë përmbytur.
Si pasojë e përmbytjeve, prefektura e Bolonjës, në zonën e Pianoro është gjetur i vdekur një burrë, makina e të cilit ishte marrë para nga vërshimet e ujërave. Në të njëjtën zonë vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një personi të zhdukur.
Kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, nga mbrëmja e djeshme e së shtunës u ka bërë thirrje banorëve që të shmangin çdo lëvizje dhe të ngjiten në katet më të larta dhe në çatitë e pallateve. Ballafaqimi me problemet e ndryshme u vështirësua edhe më shumë sepse nuk kishte pasur parashikime të motit të keq.
Komiteti operacional i Mbrojtjes Civile Italiane, është mbledhur për t’i dhënë ndihmë shtesë personave që u detyruan të largohen nga banesat e tyre. Nga ana tjetër, dëmet, për sektorin e bujqësisë, në këtë fazë janë të pallogaritshme.
Sot vala e motit të keq pritet të shtrihet në Italinë e Poshtme dhe veçanërisht në zonat më të gjera të Napolit, Barit, Kalabrisë dhe rajonit të Bazilikatës. Në rajonin Veneto të Italisë verilindore, u vendos që të shtyhen të gjitha ndeshjet e futbollit amator për shkak të motit të keq.