Bota
Përmbytjet masive në Kinë, shkon në 30 numri i të vdekurve
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën në përmbytjet që goditën një qytet afër Pekinit, thanë zyrtarët kinezë të shtunën, duke bërë që numri i të vdekurve nga vërshimet e fundit në veri të Kinës të rritet në të paktën 30.
Rastet e vdekjes si pasojë e përmbytjeve u raportuan nga zyrtarët në Baoding, rreth 150 kilometra larg Pekinit. Raportohet edhe për 18 të zhdukur në këtë pjesë të vendit.
Stuhia Doksuri, një ish-tajfun i fuqishëm që e goditi Kinën të premten, i ka sjell shirat më të mëdha në rajon qëkur filluan të bëhen matjet para 140 vjetëve.
Deri të shtunën, më shumë se 600 mijë banorë të Boadingut, i cili ka 11.5 milionë banorë, u evakuuan nga zonat e cilësuara si të rrezikuara nga vërshimet, njoftuan zyrtarët.
Shirat e rrëmbyer që e goditën Kinën verilindore të shtunën, i dëmtuan provincat në kufi me Rusinë dhe Korenë e Veriut.
Alarmi i kuq mbetet në fuqi në Pekin, për shkak të “rreziqeve gjeologjike”, si rrëshqitjet e dheut që ndërlidhen me motin e lig.
Operacionet e pastrimit po vazhdojnë, pas reshjeve të mëdha të shiut, të cilat e shkatërruan infrastrukturën dhe i vërshuan plotësisht shumë rrethina.
Kina është goditur fort nga moti ekstrem në muajt e fundit, nga valët e nxehtësisë që thyen rekordet e deri te vërshimet vdekjeprurëse.
Ministria për Menaxhimin Emergjent e Kinës tha se 142 vdekjet apo zhdukjet e regjistruara në korrik, u shkaktuan si pasojë e vërshimeve apo fatkeqësive gjeologjike./REL