Politike
Përmbytjet/ Xhixho: Shqipëria qeveriset nga një çetë kusarësh, në krye Edi Rama
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, thekson se Shqipëria përballet sot me një qeverisje që, sipas saj, shfrytëzon qytetarët dhe burimet publike për interesa personale.
Përmbytjet e fundit dhe dëmtimet e infrastrukturës janë tregues i qartë, thotë Xhixho, se miliona euro investime kanë përfunduar në xhepat e qeverisë dhe oligarkëve, ndërsa banorët mbeten të izoluar dhe të pambrojtura. Në një status në FB, ajo e krahasoi këtë situatë me inceneratorin fantazmë dhe hidrovoret, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe mosfunksionim të institucioneve publike.
Postimi i plotë në FB:
Kryeministri ka të drejtë! Shqipëria qeveriset sot nga një çetë kusarësh, që u merr shqiptarëve edhe qindarkën e fundit, pa u dhënë mbrapsht asnjë shërbim.
Përmbytjet e ditëve të fundit janë tregues i qartë se paratë kanë shkuar në xhepat e qeverisë së tij dhe oligarkëve që mban rreth vetes dhe në asnjë moment nuk janë vënë në shërbim të qytetarëve.
Sot me qindra shtëpi janë të izoluara, mijëra hektarë tokë janë nën ujë, infrastruktura është dëmtuar, ndërsa banorët janë lënë në mëshirë të fatit.
Miliona euro investime të hedhura në projekte fasadë, punë të bëra për të vjedhur dhe jo për të parandaluar përmbytjet!
Njësoj si inceneratori fantazmë që djeg paratë e shqiptarëve, edhe hidrovoret kanë derdhur lumë para që kanë përfunduar në xhepat e klientëve të Ramës.
Sot Edi Rama ka plotësisht të drejtë. Shqipëria qeveriset nga një çetë kusarësh dhe në krye të saj është ai vetë.