Kronike
Volejbollistet e Skënderbeut aksidentohen në Qafë Thanë, si paraqitet gjendja e tyre

Në vend të emocionit të një finaleje të madhe, vajzat e volejbollit të Skënderbeut përjetuan një makth.
Teksa udhëtonin drejt Tiranës për të zhvilluar finalen e dytë ndaj Tiranës, autobusi i ekipit u përfshi në një aksident të rëndë në Qafë Thanë, duke tronditur të gjithë ambientin sportiv.
Sipas informacioneve paraprake, autobusi ka dalë nga rruga, ndërsa dy autovetura janë përplasur mes tyre dhe kanë pësuar dëmtime të mëdha. Shkak i aksidentit dyshohet se është parakalimi i gabuar dhe lagështia në rrugë.
Mësohet se volejbollistet Malaj dhe Mehmeti kanë pësuar dëmtime në shpatull. Me lëndime ka rezultuar edhe trajneri Orlando Koja.
Ata u transportuan në spitalin e Prrenjasit, ku po marrin ndihmën e parë mjekësore
Situata e krijuar hedh hije mbi fatin e zhvillimit të ndeshjes së dytë finale në volejboll për femra. Ndërkohë rreth ngjarjes ka reaguar edhe Federata e Volejbollit.
Njoftimi i FSHV-së:
Sot, rreth orës 11:00, në aksin rrugor Qafë Thanë-Librazhd, automjeti që transportonte ekipin e volejbollit për femra të Skënderbeut të Korçës, i nisur drejt Tiranës për të zhvilluar ndeshjen e dytë finale të Superligës në Pallatin e Sportit në Farkë (ora 17:00), u përfshi në një aksident rrugor me një automjet tjetër.
Për pasojë, të gjithë të pranishmit në automjetin e ekipit të Skënderbeut kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa dy nga lojtaret janë dërguar në spitalin e qytetit të Prrenjasit për një ndihmë më të specializuar. Gjendja e tyre është e stabilizuar.
Nisur nga rrethanat e ngjarjes, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit, bazuar në Rregulloren e Brendshme, vendosi:
1. Ndeshja e dytë finale në Kampionatin e Superligës së Femrave midis Tiranës dhe Skënderbeut, e programuar të zhvillohej më 26.04.2025, ora 17:00, në Pallatin e Sportit Farkë, nuk do të zhvillohet.
2. Federata Shqiptare e Volejbollit do të njoftojë së shpejti për datën dhe orarin e ri të zhvillimit të ndeshjes së dytë finale, sapo të ketë një vlerësim të plotë të gjendjes shëndetësore të ekipit të Skënderbeut.
Federata Shqiptare e Volejbollit u uron të gjithë sportisteve një shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në parket.

