Politike
Përplasja Kim-Xhaçka, ambasadorja e censuron
Sot, në ditën ndërkombëtare dedikuar Holokaustit, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në rrjetin social të Ambasadës Amerikane, Yuri Kim ka ndarë pamjet nga ceremonia dhe bashkëbisedimi me anëtarë të Shoqatës së Komunitetit Shqiptaro-Hebre në Shqipëri. Por edhe pse ceremonia u mbajt në ambientet e MEPJ-së, Xhaçka mezi duket në një foto shumë larg ambasadores, ndrërsa tek të tjerat është “censuruar”. Në çdo foto duket Yuri Kim që flet me të gjithë veç kryediplomates shqiptare.
“Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ambasadorja Yuri Kim mori pjesë në një ceremoni të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në nderim të guximit dhe vetëmohimit të popullit shqiptar që u sakrifikua për të mbrojtur mysafirët e tij hebrenj dhe në kujtim të të gjithë viktimave të Holokaustit, si pasqyrim i një prej periudhave më të errëta në histori. Ceremonia përfshiu një ekspozitë me fotografi dhe dokumente historike që vërtetojnë shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Felicita Jakoel, Kryetare Shoqatës së Komunitetit Shqiptaro-Hebre dhe vajza e Josef Jakoel, autor i “Izraelitët në Shqipëri”, Fatmir Veseli, përfaqësues i një prej familjeve shqiptare që kontribuan në shpëtimin e popullit hebre dhe ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg morën pjesë gjithashtu në këtë aktivitet,”-shkruhet në postim.
Por pse ka ndodhur censura ndaj Olta Xhaçkës?
Rreth një muaj më parë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shkruante në “Twitter” se procedura për zëvendësimin e Kim kishte nisur. Në pozitën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, pritet të emërohet David Kostelanick. Ky i fundit njihet si njohës i çështjes Ruse, teksa aktualisht ka pozicionin e drejtorit në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit. Por problemi është se Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk ka asnjë të drejtë, as të nisin procedura dhe as të japin deklarata të tilla. Pasi zgjedhja e pasuesit/pasueses së Kim është detyrë vetëm dhe vetëm e Departamentit Amerikan të Shtetit, ashtu siç edhe duhet, e Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme vetëm njoftohet formalisht për emrin e pasardhësit. Pas deklaratës, Kim u përgjigj duke u shprehur se do qëndronte edhe ca kohë në Shqipëri, ndërsa mesa duket ia ka mbajtur mend ‘fjalën’ dikasterit të drejtuar nga Olta Xhaçka.