Aktualitet
Përplasjet e Berishës me drejtësinë, Vangjeli: Do dëgjojmë lajme shpërthyese
Për të tretën herë rradhazi, Sali Berisha nga ballkoni i shtëpisë ku po mbahet nën masën e arrestit të caktuar nga GJKKO, ka dalë para militantëve të tij dhe ka mbajtur fjalime, duke thyer në njëfarë mënyrë urdhrin e gjykatës për të mos komunikuar me persona të tjerë jo familjarë.
Lorenc Vangjeli e cilësoi këtë si një strategji totalisht të gabuar që po ndiqet nga ish-kryeministri. Sipas Vangjelit, në këtë mënyrë Berisha po kërkon të shndërrohet në “viktimë” të një lufte politike ndërkohë që më herët nuk respektoi masën e caktuar nga GJKKO për “detyrim paraqitje”.
“Doktori ka hyrë në kursin e përplasjeve me drejtësinë. Besoj se është strategji e gabuar, tentativë e tij për t’u shndërruar në viktimë dhe martir të një lufte politike. Masa e re e arrestit për doktorin nuk ka të bëjë me çështjen por me mënyrën sesi u soll vetë gjatë këtij procesi. Nëse do të mbante masën e parë, nuk do kishim mbërritur këtu. Në këtë moment doktori shikon se e vetmja rrugëzgjidhje për të është që të avancojë në këtë kurs përplasje. Do dëgjojmë lajme të tjera, ndoshta ngjarje shpërthyese”- u shpreh Vangjeli.
I të njëjtit mendim ishte edhe këshilltari i koacilionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti i cili tha se nëse Berisha do kishte respektuar masën e parë nuk do të kishte ardhur deri në këtë pikë dhe shtoi se sipas tij, ish kryeministri ishte këshilluar keq juridikisht.
Më tej, sa i takon një zgjidhje për situatën brenda PD-së, Alimehmeti nënvizoi nevojën për një bashkëpunim me të gjitha palët duke u shprehur i bindur se problem mund të zgjidhet vetëm nëse do të formohet një grup përbashkues që qëndron mbi individin apo “Uni-n politik”.