Connect with us

Kosova

Përse Albin Kurti ka dëshirë të përzihet në zgjedhje të huaja?

Nga një pikëvështrim kozmik, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka një dëshirë goxha të zjarrtë që të “përzihet” në zgjedhje në shtete të treta. Lideri i VV-së nuk ka ngurruar të kundërshtojë Edi Ramën në Shqipëri e Donald Trumpin në ShBA, ndërsa vitin e kaluar ishte pjesë e fushatës në zgjedhjet në Zvicër, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh nga Kosova.

Tash në vitin 2024, Kurti e ka plan të përfshihet edhe në një palë zgjedhjesh, në ato të Maqedonisë së Veriut. Në shtetin fqinj, Kurti do të rreshtohet në krahun e opozitës shqiptare, që drejtohet nga Izet Mexhit, duke e kundërshtuar Ali Ahmetin, kryetarin e kahershëm të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Por pse ka qejf Kurti kaq shumë të përfshihet në zgjedhjet e vendeve të tjera?

Albinot Maloku, një politolog i njohur nga Kosova, ka dy shpjegime për tendencën e përsëritshme të Kurtit për t’u involvuar në zgjedhje të shteteve të huaja.

“Përfshirja e drejtpërdrejtë ose jo e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tashmë praktikë e moçme, në proceset zgjedhore jashtë Republikës së Kosovës, ka dy shpjegime! Që përkrahja e fuqizimi bëhet ndaj bashkëmendimtarëve me të cilët ndan vija miqësish të vjetra, pa e menduar këtu sa e leverdishme është zgjedhja e të përkrahurve në vendet ku mbahen ato procese zgjedhore, ose për shkak të sindromit hubris që di t’i kap liderët politikë pas një angazhimi politik të gjatë.” – ka thënë Maloku në përgjigjen e tij për Nacionalen.

Ndërsa Halil Matoshi, analist dhe aktivist i moçëm i të drejtave të njeriut, vlerëson se interferimi i Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut është “kopja më e keqe e tendencave të ndikimit serbian në rajon”.

“Fantazma e nacionalizmave romantik të fundshekullit XIX dhe tërë shekullit XX po sillet sërish në qiellin mbi Ballkan. Përderisa partia e çetnikëve dhe e radikalëve serbë, e veshun me petkun e Srpska Napredna Stranka (SNS) ka shtri ndikimin e saj në Republika Srpska, përmes partisë së Dodik-ut, po ashtu, SNS e kamufluar si Savez Nezavisnih Socialdemokrata, në Kosovë skenën politike e dominon Partia e krijuar nga Aleksandar Vuçiq, me emërtimin Srpska Lista (SL). Së këndejmi, interferimi i partisë së Albin Kurtit, së pari në trupin zgjedhor të Shqipërisë e tashti edhe në atë të Maqedonisë së Veriut, është kopja më e keqe e tendencave të ndikimit serbian në rajon, pra të një bote fantazmogorike serbe në Ballkan.” – ka deklaruar Matoshi për Nacionalen.

Në përgjigjen për Nacionalen, sociologu Shkodran Ramadani e ndërlidhi ndërhyrjen e Kurtit në Maqedoni të Veriut me “ambicien” e Kurtit “për të qenë lideri mbarëshqiptar”.

“Me këtë veprim, Kurti përpiqet të konkretizojë atë që shumë kohë më parë e ka bërë të ditur: ambicien për të qenë lideri mbarëshqiptar, i pari i shqiptarëve në çdo treve dhe cep ku jetojnë dhe veprojnë ata. Ai synon të jetë prijesi i kosovarëve, diasporës, Shqipërisë, Luginës dhe shqiptarëve në Maqedoni. Pasi konsideron që Kosovën, diasporën dhe Luginën “e ka futur në xhep”, ai është nisur drejt cakut të ri: Maqedonisë. Ai luan me kartën e frymes së ndryshimit, por siç e dijmë ne në Kosovë, ky ndryshim vetëm pozitiv nuk është. “Stagnimi” e “regresi” janë përcaktore që më mirë e përshkruajnë kohën e tij në krye të shtetit.” – ka theksuar Ramadani.

Sjellim ndërmend që zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahën me 8 maj, ndërsa opozita shqiptare atje janë bërë bashkë në një përpjekje të sërishme për ta rrëzuar nga “froni” Ahmetin, ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. /nacionale/

Advertisement