Politike
Përsëritja e zgjedhjeve në Rrogozhinë/ Berisha: Diferencën e bënte kutia e burgut
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të përsëritur edhe njëherë zgjedhjet lokale të 14 majit në Bashkinë e Rrogozhinës. I ftuar në ‘Task Force’, Sali Berisha u shpreh se, nëse do të kishte gjykatë të paanshme do të kishte vetëm një vendim, qendra e votimit është e paligjshme dhe nuk mund të përllogaritet.
“Defakto ju mohua mandati atij që i takonte me këtë vendim, sepse diferencën aty e bënte kutia e burgut, qendra e votimit në të cilin ishte ngritur pa asnjë vendim ligjor, të bazuar në ligjin dhe rregullat e ngritjes së qendrave të votimit. Ngritja e kësaj qendre votimi u bë me bashkëpunimin mes kriminelit elektoral Ulsi Manja dhe kriminelit tjetër elektoral drejtorit të burgut, që është vjehrri i kandidatit të Rrogozhinës. Ky burg, 5 ditë përpara ka pasur gjithsej 2 të burgosur dhe u mbush me transferime brenda javës që të krijohej diferenca. Në këtë kontekst çdo gjykatë e paanshme do të kishte vetëm një vendim, qendra e votimit është e paligjshme dhe nuk mund të përllogaritet se përndryshe hajde vendosim kutitë në rrugë dhe të votojmë. Ekzistojnë rregulla ligjore për ngritjen e qendrave të votimit. Me këtë vendim, ju mohua mandati që i takon opozitës,“- tha kreu i PD-së, Sali Berisha.
Sot, Kolegji Zgjedhor ka vendosur të pranojë kërkesat e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të përsëritur edhe njëherë zgjedhjet në Bashkinë më të vogël të qarkut të Tiranës, ku kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memollaj fitoi me 21 vota më shumë ndaj kundërshtarit të tij, Shkëlqim Hoxha. Ky i fundit tha se tashmë e drejta u vendos në vend.