Tre izraelitë janë vrarë më 1 shtator pasi makina e tyre u sulmua me armë zjarri afër qytetit Hebron, në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë zyrtarët izraelitë.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin, duke shtuar se forcat e sigurisë janë në kërkim të sulmuesve.
Qindra trupa izraelite po kryejnë bastisje në mbarë Bregun Perëndimor që nga e mërkura në një prej aksioneve më të mëdha në muaj në këtë zonë, duke thënë se synimi i operacionit është çrrënjosja e militantëve islamikë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalë operacionin në Bregun Perëndimor. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se tre policë, që ishin në makinën që u sulmua, u vranë.
“Ne po luftojmë në të gjitha frontet kundër një armiku mizor që dëshiron të na vras të gjithë ne”, tha Netanyahu.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, anëtar i kabinetit të sigurisë së Izraelit, i cili është politikan i linjës së ashpër, kërkoi më shumë veprime kundër militantëve palestinezë në Bregun Perëndimor.
Dhuna në Bregun Perëndimro është rritur që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.
Më shumë se 500.000 kolonë hebre, që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin të cilat konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme, kanë shtetësi izraelite./Rel/