OPINION
Personat me aftësi të kufizuar dhe sfidat e tyre jo vetëm fizike por edhe ligjore
Punoi: Blerina Cano
Të studiosh me vemendje parashikimet e konventës “Për të Drejtat e Personave me aftësi të kufizuar“dhe në të njejtën kohë ti shikosh të zbatohen, të njihen jo vetëm nga organet e pushtetit vendor e qëndror, por edhe nga ne që jetojmë bashkë me ta, ku ndajmë rrugën që ecim çdo ditë, stacionet e autobuzëve, pritjen në zyrat postare apo në shërbime të tjera utilitare të domosdoshme për çdo qytetar, nuk është e vështirë. Cilido që jeton në Shqipëri dhe njeh të drejtat e tyre, lehtësisht kupton që : “Sfidat e personave me aftësi të kufizuar për të drejtat e tyre, edhe pse tashme të parashikuara në konventë vazhdojnë çdo ditë”. Nëse mund të shpegojmë me një rast se sa njihen këto të drejta, apo sa zbatohen sot, mjafton të shohim se, rrugët që ndërtohen nuk përmbushin standartet për këta pjestarë të shoqërisë tonë.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë behën pengesë dhe nuk sigurohet e drejta e lëvizjes dhe vetëm pas “nismave “ të OJF-ve rrugët përshtaten për ta, por kjo është vetëm një nga sfidat e tyre. Kjo tregon që vullneti mungon nga cilido që ka detyrë ti njohë dhe zbatojë këto të drejta. Në sistemin e drejtesisë ekziston një parim që thotë “Mosnjohja e ligjit nuk të përjashton nga përgjegjësia penale “, ashtu siç mosnjohja e konventës dhe e të gjithë të drejtave për personat me aftësi të kufizuar jo vetëm që s’të përjashton nga përgjegjësia penale apo administrative por mbi të gjitha nuk të përjashton nga përgjegjësia morale ose njerëzore.
Po t’i referohemi të dhënave statistikore që disponohen dhe të publikuara, për personat me aftësi të kufizuar, janë ato të vitit 2019 ku vendi ynë numëron rreth 144 135 persona me aftësi të kufizuar, ndërkohë që jemi ende në pritje të të dhënave përfundimtare nga INSTAT, ku aftësia e kufizuar ishte pjesë e Censusit 2023. Por pavarsisht shifrave që prodhohen nga statistika të ndryshme, të gjithë duhet të kuptojmë dhe mirëpranojmë rëndësinë e personave me aftësi të kufizuar, të njohim të drejtat e tyre dhe detyrimet tona si qytetar, e të fillojmë të
kuptojmë që “të gjithë jemi njësoj”.
Të kuptojmë rëndësinë e gjithëpërfshirjes në çështje të personave me aftësi të kufizuar si pjesë përbërëse e strategjive përkatëse të zhvillimit të
qëndrueshëm dhe se diskriminimi ndaj çdo personi për shkak të aftësis së kufizuar është dhunim i dinjitetit dhe vlerave të personit. Aftësia e kufizuar është një koncept që evoluon nga ndërveprimi ndërmjet personave me aftëstë kufizuar dhe barrierave të qëndrimit, mentalitetit ose ambjentit te cilat pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri në bazë të barabartë me të tjerët.
Në dhjetor të vitit 2006 në New York u miratua Konventa “Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar” dhe protokolli opsional i saj, ku është percaktuar dhe Autoriteti Përgjegjës i kësaj Konvente i cili është Sekretari Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara . Qëllimi i kësaj Konvente është të nxisë, mbrojë dhe të sigurohet që të gjithë personat me aftësi
të kufizuar të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të nxisë respektin për dinjitetin e tyre.
Vetë konventa e ka përcaktuar qartë se çfarë do të kuptojmë me persona me aftësi të kufizuar si më poshtë vijon : “Janë individët me dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore afatgjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë”. Shtetet anëtare të kësaj Konvente, siç është dhe Shqipëria, e cila e ka ratifikuar në parlament në vitin 2013 kanë detyrë, raportimin periodik mbi zbatimin e saj pranë Komitetit të Konventës dhe sigurisht, tashmë që vendi ynë dëshiron integrimin në Bashkimin Europian, legjislacioni kombëtar duhet të përafrohet me atë të BE-së.
Në legjislacionin kombëtar aftesinë e kufizuar e gjejmë të shprehur në ligjin nr.9355 datë 10.03.2005 “Për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore” dhe konkretisht në nenin 4 pika 3 të tij eshtë sanksionuar si më poshtë vijon: “Person me aftësi të kufizuar” kuptohet individi, të cilit i është kufizuar aftësia, si pasojë e
dëmtimit fizik, shqisor, të intelektit, psikiko/mendor, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme apo të përhershme, të cilat nuk vijnë nga shkaqe që lidhen
me punësimin”.
Situata e tyre po ndryshon sadopak, fatkeqësisht nuk mund të themi falë ndërhyrjes së organeve ligjzbatuese, por falë përpjekjeve që bëjnë organizatat jofitimprurëse për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, pasi pavarësisht nga të gjithë këto instrumente dhe sipërmarrje, personat me aftësi të kufizuar vazhdojnë të përballen me barriera në pjesëmarrjen e tyre si anëtarë të barabartë të shoqërisë dhe ndeshen me dhunime të të drejtave të tyre njerëzore në të gjitha anët e botës.
Respektimi i plotë i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, krijimi i kushteve të duhura për ta është ende larg për vendin tonë dhe duhet që personat me aftësi të kufizuar të kenë mundësinë të përfshihen në mënyrë aktive në proceset e vendimmarrjes për politika dhe programe, mbi të gjitha përfshirë edhe që kanë të bëjnë direkt me ta.