Connect with us

Politike

Petrit Vasili: Na vodhën votat edhe në Kuçovë (Tregon faktet)

Opozita vijon pretendimet se votat më 14 maj janë manipuluar. Nënkryetari i partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka publikuar disa fakte të reja që pretendon se janë shkelje. Ai u ndal tek problemi me identifikimin biometrik për të vijuar me arrestimin e Fredi Belerit. Vasili u ndal edhe te Kuçova që sipas tij është shembulli më i qartë i konsumimit të të gjitha llojeve të krimeve zgjedhore.  Nënkryetari i PL thotë se do të vijojnë betejën për rikthimin e votës së lirë dhe dosjen me shkelje do e bëjnë publike për të gjithë shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare.

Shqipëria në 14 maj nuk pati zgjedhje po votime të kriminalizuara nga Edi Rama dhe qeveria. Me fakte dhe prova të pakundërshtueshme edhe qytetari më i fundit do të kuptojë dhe do ta ketë shumë të qartë shkatërrimin e votës së lirë që ka ndodhur në 14 maj.

Çdo moment i procesit zgjedhor ka qenë i manipuluar, i kompromentuar dhe në dhunim të plotë të Kodit Zgjedhor. Po t’i marrim momentet njëri pas tjetrit. Duke filluar nga KQZ e deri në bashkitë ku zhvillohej gara, ku do ndalemi dhe një herë në shkatërrimin e zgjedhjeve në Kuçovë.

Së pari, e gjithë Shqipëria e di më së miri që elementi kryesor i sigurisë i arritur me marrëveshjen mazhorancë-opozitë të vitit 2020 për identifikimin biometrik që do të pengonte votimin e shumëfishtë dhe atë familjar u rrëzuar përtokë. Në qindra qendra votimi, pajisjet nuk funksiononin aq sa dhe vetë kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi nuk u identifikua dot në mënyrë biometrike. Pra, mbi 20 milionë euro të shpenzuara, nuk shërbyen për asgjë vetëm u shpërdoruan. E ndërkohë siç do provohet dhe në rastin e Kuçovës, votimi shumëfishtë dhe familjar ndodhi në të gjithë territorin duke deformuar totalisht rezultatin e zgjedhjeve.

Së dyti, KQZ dhe SPAK kontribuuan vetëm në shkatërrimin e zgjedhjeve sepse përdorën dy standarde. Një standard për qeverinë që të manipulonte si të donte dhe një për opozitën të cilës i shpiknin ngjarje për ta penguar dhe dëmtuar. Është skandal shumë i rëndë që ndërsa Majlinda Bufi kryetare e Roskovecit, e kallëzuar në SPAK, e denoncuar botërisht me zë dhe figurë, për shantazhim dhe pengimin në zgjedhje dhe për shkelje të nenit 329 të Kodit Penal për ‘Kanosje që i bëhet zgjedhësit në një mënyrë të caktuar apo për të mos marrë pjesë në zgjedhje’, nuk u bë asnjë veprim ndërsa kandidati i Himarës, Fredi Beleri inskenohet nga policia një situatë dhe arrestohet me pretendime për ndërhyrje në procesin zgjedhor. Për të gjitha kallëzimet në SPAK të opozitës, nuk ka pasur as veprimin më të vogël përpara zgjedhjeve duke u nisur nga strategjia e faktit të kryer dhe për të mbështetur verbtas qeverinë.

Së treti, qendrat e numërimit, të cilat në gjysmën e tyre zotëroheshin 100% nga rilindja u kthyen në qendra manipulimi skandaloz të sjelljeve histerike politike dhe të shkatërrimit real të procesit shumë delikat të numërimit të votës e duke hedhur në erë zgjedhjet e 14 majit. Provat filmike janë pafund dhe janë parë nga të gjithë qytetarët shqiptarë përmes televizioneve dhe rrjeteve sociale, si dhe janë depozituar në KQZ dhe organet e drejtësisë.

Së katërti, Kuçova është shembulli më i qartë i konsumimit të të gjitha llojeve të krimeve zgjedhore, të cilat në mënyrë të spikatur po ua risjell sërish vetëm disa prej tyre.

1) Së pari, ambjenti i numërimit në Bashkinë e Kuçovës ishte i ndarë në dy dhoma, ku njëra prej tyre nuk survejohej me kamera, ishte e pandriçuar dhe që përmbante shumë materiale të tjera. Në të gjendet edhe sot një derë lidhëse e fshehtë me ambjentet e shkollës përkarshi, e cila nuk u mbyll gjatë procesit të numërimit. Pavarësisht kërkesave të vazhduara të anëtares sonë të KZAZ-së për të mbyllur derën, kjo gjë nuk u pranua nga pjesë tjetër e KZAZ-së;

1684921679_222.JPG

2) Një tjetër fakt, është njollosja e qëllimshme me bojë vule, e shumë fletëve të votimit për kryetar bashkie në kutitë e qytetit, për t’i bërë votat të pavlefshme;

3) Në 2 kuti të qytetit, konkretisht në QV-në nr. 3516 (Vodëz) dhe 3528/1 (Teknikumi), pati mospërputhje vulash sigurie, të konstatuara nga Grupi i Numërimit të Votave dhe të kontestuara nga anëtarja e koalicionit Bashkë Fitojmë në këtë grup numërimi;

4) Kamera e sigurisë (e cila në këto zgjedhje ishte vetëm një, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, ku gjithë ambjenti monitorohej me kamera sigurie) nuk kishte fushëpamje mbi tavolinën 5 të numërimit;

 

1684921702_1.JPG

5) Skandaloze është situata në Lumas, ku personat e paraqitur për të votuar nuk ishin ata që paraqiteshin në kartat e ID. Ky fakt është konstatuar nga komisioneri i BF në QV nr. 3417, në fshatin Krekëz, i cili ka mbajtur shënimet përkatëse. Ne kemi verifikuar se shtetasit, karta e të cilëve është paraqitur nga persona të tjerë për votim, ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë që prej muajve shkurt dhe mars, fakt i cili është depozituar edhe në kallëzimin tonë në SPAK. Konkretisht, shtetasi me inicialet L.T., i datëlindjes 11.02.1985, është larguar drejt Greqisë në datën 27.02.2023;

6) Një tjetër fakt skandaloz është ai i votimit në grup, të cilat janë provuar me foto nga vëzhguesit tanë ;

7). Një tjetër fakt është ai i votimit jashtë qendrës së votimit, ç’ka evidentohet me foto. Ky krim zgjedhor ka ndodhur në Qv-në nr. 3527 dhe 3527/1, Kopshti Nr. 3;

1684921835_333.JPG

1684921879_22.JPG

8) Një tjetër provë e manipulimit të procesit është vula e Kryetarit të QV-së nr. 3504, në Kozare, e cila nuk ndodhej brenda materialeve të votimit në kuti, por është fshehur nga Kryetari i KZAZ-së në një kuti tjetër, ç’ka është evidentuar edhe me foto. Gjithashtu kjo vulë, ka ardhur me zarf të vulosur nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që i vetmi institucion, i ngarkuar me ligj për shpërndarjen e materialeve zgjedhore, është KQZ.

Denoncimi i kësaj masakre është një mission politik pa kthim. Vullneti i qytetarëve është deformuar shumë rëndë, vota e lirë është cënuar në themelin e saj, vetëm në funksion të interesave të Edi Ramës dhe qeverisë së tij mafioze.

Beteja për rikthimin e votës së lirë, ku çdo qytetar voton i qetë ashtu siç e mendon do të vazhdojë pa ndërprerje deri në rikthimin e institucionit të votës së lirë.

Dosjet e shkeljeve pa fund, plot me fakte dhe me prova të pakundërshtueshme do t’u tregohen të gjithë shqiptarëve por dhe çdo institucioni ndërkombëtar apo dhe miqve të mirë dhe dashamirësve të Shqipërisë kudo në botë”, tha Vasili.

Advertisement