Politike
Pezullimi i dekretit/ Begaj shkresë Kushtetueses: Shpallni moskompetencë, lejoni zgjedhjet
Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar Gjykatës Kushtetuse pretendimet në lidhje me rrëzimin e dekretit të tij për zgjedhjet e 9 nëntorit. Begaj i është drejtuar Kushtetueses me një letër, ku i kërkon të shpallë moskompetencën për çështjen e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të rrëzojë ankimimin e tij. Në shkresë, Begaj kërkon nga Gjykata anulimin e bllokimit të procesit të zgjedhjeve në Tiranë, pasi Kushtetuesja në vendimin e 9 tetorit, rrëzoi dekretin e Presidentit.
Kërkesa:
Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:
Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimor, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Erion Veliaj, i cili ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.
Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxorri dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit. Pas dekretit, avokatët e Erion Veliajt bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës. Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt më 31 tetor./