Connect with us

Sport

Pioli : Kemi marrë lojtarë të mëdhenj, asgjë e pamundur për Milanin

E pamundura nuk ekziston për ne!” Është kjo motoja e re e Milanit, urdhri i Stefano Piolit për sezonin e ri që nis mbrëmjen e sotme, ku përgjegjësitë po, janë shumë të mëdha, por edhe objektivat janë po aq të mëdhenj, pasi trajneri kuqezi është shumë i lumtur dhe i kënaqur me merkaton e bërë dhe është gati për një vit të gjatë dhe plot suksese. Gjithsesi, për një ogur të mirë duhet nisur mbarë me Bolonjën në transfertë:“Nuk ka dyshime që emocionet për debutimin nuk do të mungojnë, pasi ka kuriozitet për ne, duke nisur nga unë i pari, skuadra e dyta dhe mbi të gjitha tifozët. Gjithsesi, ‘e pamundur’ për ne është një fjalë që nuk duhet të ekzistojë, sepse diçka mbetet e pamundur derisa nuk gjen zgjidhjet e duhura dhe ne duam që t’i gjejmë. Duam të jemi ambiciozë. Ky është një Milan i guximshëm, të tillë duhet të jemi, duke bazuar gjithçka në ide, cilësi e sakrificë”. Për sa i përket titullit, Pioli është i bindur se Napoli e Interi, që e nisën me fitore, nuk janë më të forta sesa Milani i tij: “Sivjet nuk do të ketë favorite për titullin. Interi dhe Napoli e nisën mbarë, por tani është radha jonë që t’i përgjigjemi”.

MERKATO

Lidhur me atë nëse pret ende afrime nga merkatoja, Pioli nënvizon: “Ka ende ditë në dispozicion dhe gjithçka mund të ndodhë. Por mund të mbetemi edhe kështu. Jam shumë i lumtur me atë çfarë ka bërë klubi”.

FORMACIONI

Për sa i përket skuadrës që do të sulmojë Bolonjën, Pioli do ta nisë me vetëm një italian në përbërje, Davide Kalabrian: “Të flasim për italianë e italianizim në 2023 më duket diçka e çuditshme, njësoj siç tregon edhe bluza jonë e tretë, e cila mund të ketë ngjyra të çuditshme, por është gjithëpërfshirëse, siç pres unë që të jetë ky Milan. Realisht e konfirmoj se jam i lumtur nga merkatoja, pasi drejtuesit i kanë dëgjuar të gjitha këshillat e mia për karakteristikë dhe rolet që duhej të mbulonim dhe deri tani kanë përmbushur gjithçka që na mungonte”.

Advertisement