Kronike
Pjesë e bandës së Gëzim Çelajt, foto e skafistit Arben Dalipaj! ‘Fantazma e Mesdheut’
Personi që shihni në foto është Arben Dalipaj, skafisti i bandës së Gëzim Çelajt në Fushë Kuqe i cili i shpëtoi policisë dhe Guardia di Finanzias në aksionin në Luginën e Patokut. Dalipaj, i njohur me pseudonimin ‘Kapelja’ si dhe ‘Fantazma e Mesdheut’ është me origjinë nga Vlora, nga ku mori edhe ‘famën’ si skafist dhe trafikant i zoti. Eksperti i kriminalistës, Ervin Karamuço, ka zbuluar më tepër për Arben Dalipajn. “Disa madje janë ngritur dhe në gradë. AMP ka bërë punë gjatë kësaj kohe, por nuk ka prekur nivele të larta të policisë së shtetit, është marrë me nivelin zbatues të policisë. Vetëm SPAK është marrë me nivele të larta. Dhe ne e kemi të pavarur SPAK nga policia. Por çfarë ishin këta 3 personat? Njëri ishte fantazma e Mesdheut, kështu i thonë. As fotografi nuk i gjejnë. Merret me linja nga Afrika e Veriut, në Marok, në Turqi e Itali, ai është më i shpejti e më i pakapshmi. Madje që nga koha kur Luan Rama ka qenë ministër i Brendshëm,” tha Karamuço. Por, ish-shefi i antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani, ka bërë një status ku sqaron se fantazma e mesdheut që askush nuk e njihte është Arben Dalipaj. “Lexova sot në media se ca “koka” të mëdha që bëjnë ekspertizën e krimit në vendin tonë deklarojnë se Arben Dalipin, sjafisti e famshëm s’e njef askush dhe se s’ka asnjë foto të tij. Sa për fillim po jua dergoj foton unë nga Zvicra meqe ju aty nuk keni mundesi l, dhe së dyti gugulloni pak emrin tim dhe lexoni..do mesoni shumë për këtë trafikant që na e bëtë kaq të famshëm deri në fantazmë“, shkruan Zagani. Më herët, Zagani ka rrëfyer lidhjet e biznesmenit vlonjat, Arben Dalipaj me trafikun e drogës dhe me politikanë.Ai ka treguar se si e trafikonte ai drogën dhe si u pengua të hetonte për Dalipajn. Sipas tij, biznesmeni vlonjat kishte investuar në disa koncesione hidrocentralesh. Zagani thotë se tentoi ta përgjonte Dalipajn, por u pengua që të vendoseshin përgjuesit në shtëpinë dhe makinën e tij. Ai shton se në shtëpinë e Dalipit ka patur një çantë me 20 kg kokainë dhe 3 milionë euro cash.
Skema e trafikantëve në Fushë Kuqe:
Policia në bashkëpunim me SPAK kishin informacion për një shkëmbim të mundshëm në det të hapur në zonën e Patokut. Ish polici Amarildo Ismailukaj u zbulua në saj të përgjimeve për komunikimet e tij të shpeshta me skafistin Arben Dalipajn (i vetmi që ja doli të arratiset më 15 gusht). Ismailukaj jepte me qira gomonet me të cilat transportohej hashashi dhe në këmbim merrej kokaina, të cilën e sillnin nga Kepi i Rodonit 2 ukrainas (të arrestuar), shkëmbimi bëhej gjatë ditës, në det të hapur. Pasi bëhej shkëmbimi, skafisti Dalipaj shkonte të dorëzonte drogën e shkëmbyer (pra kokainën), në restorantin ‘Royal Blue’ në pronësi Nderim Çelës nipit të Gëzim Çelës i cili ka edhe një resort në këtë zonë. Më pas, Ismailukaj shkonte në restorant për të marrë gomonet. Policia i gjeti 10 mijë euro në kroskotin e makinës, çka e shtyu të dyshonte se edhe ish polici ishte i përfshirë. Por teksa Gëzim Çelaj ishte në kërkim ndërkombëtar, shefi i komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj përpos se ishte në dijeni se ku gjendej ‘baroni i drogës’ e shoqëronte atë dhe trafikantët e tjerë me makinë. Policia ndërhyri pasi bënë shkëmbimin në det, sapo i pikasën ukrainasit i kanë vënë flakën kanabisit ndërsa skafisti Dalipaj me pseudonimin ‘Kapelja’ u arratis, dyshohet se mori edhe kokainën.